Putini pritet të jetë i pranishëm, Zelenskyy ftohet në samitin e G20-ës

schedule17:36 - 29 Prill, 2022

schedule 17:36 - 29 Prill, 2022

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy është ftuar në samitin e G20-ës që do të mbahet në nëntor. Në këtë samit do të jetë i pranishëm edhe homologu i tij rus Vladimir Putin, sipas liderit të vendit mikpritës, Indonezisë.

“E kam ftuar presidentin Zelenskyy që të marrë pjesë në samitin e G20,” tha presidenti Joko Widodo, duke sugjeruar se është arritur një kompromis pas presionit të Perëdimit për ta përjashtuar Rusinë nga eventi, në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.

Putin konfirmoi në një telefonatë me Widodo se do të merrte pjesë në samitin që do të zhvillohet në ishullin Bali.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ndërsa Rusia po përgatitej për samitin e G20 të këtij viti në Indonezi, nuk ka vendosur ende nëse Putin do të marrë pjesë personalisht apo virtualisht.

Rusia është anëtare e G20-ës, ndërsa Ukraina jo. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tashmë në javën e nëntë, Indonezia është përballur me presion të ashpër nga vendet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, për të përjashtuar Rusinë nga samiti.

Por qeveria indoneziane këmbënguli që, si mikpritëse, ajo duhet të mbetet e paanshme, ndërsa presidenti i SHBA Joe Biden sugjeroi se Ukraina mund të merrte pjesë.

Zelenskyy njoftoi në një postim në Twitter se ishte ftuar në samit nga Indonezia të mërkurën, pas një telefonate me Widodo. /abcnews.al/