Në një kohë që presidenti rus Vladimir Putin ka avancuar me planin e tij për pushtimin e Ukrainës, qytetarët ukrainas nga Tirana janë solidarizuar me vendin e tyre.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka postuar në Twitter foto të ukrainasve që jetojnë në kryeqytet duke u solidarizuar me ta, ndërkohë që bashkia është veshur me ngjyrat verdh e blu.
Në foton duken disa qytetarë nga Ukraina kanë përcjellë mesazhe mbështetjeje për bashkëkombasit e tyre në këto ditë të vështira për shkak të presionit rus çdo ditë e në rritje.
“Si kryetar i bashkisë@CityOfTirana Jam shumë krenar për banorët tanë Ukrainas!
Më pëlqen që ata lulëzojnë dhe përparojnë këtu! Ata gjithashtu duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë në vendin e tyre!
Ne ndezëm Bashkinë në verdhë e blu në solidaritet për të drejtën e tyre për të jetuar pa shtypje dhe luftë të pakuptimtë”, shkruan kryebashkiaku Erion Veliaj teksa ka ndarë foto.
Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë rritur pasi presidenti Putin njohu si të pavarura dy rajone separatiste në Ukrainën lindore, duke përshkallëzuar një krizë që Perëndimi druhet se do të shkaktojë një luftë madhore. Në një fjalim të gjatë televiziv, Putin e përshkroi Ukrainën si një pjesë integrale të historisë së Rusisë dhe tha se Ukraina lindore ishte tokë e lashtë ruse dhe se ai kishte besim se populli rus do ta mbështeste vendimin e tij.
Presidenti rus njoftoi në biseda telefonike për vendimin e tij udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, të cilët shprehën zhgënjimin e tyre, sipas Kremlinit. Më pas Presidenti rus u shfaq në televizionin shtetëror duke nënshkruar dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve. Lëvizja e Moskës vë në rrezik përpjekjen e minutës së fundit për një takim të mundshëm me presidentin amerikan Joe Biden për të parandaluar një sulm rus ndaj Ukrainës.
Disa minuta pas këtij vendimi, Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi forcat ruse “të ruajnë paqen në Ukrainën lindore”. Por, nuk është ende e qartë nëse dhe kur trupat do të hyjnë në Ukrainë.
Pas njohjes së dy rajoneve rebele ukrainase nga Rusia, ka reaguar ashpër perëndimi dhe NATO. SHBA njoftoi menjëherë se do të marrë masa për të ndaluar tregtinë me këto dy rajone.Në një deklaratë për shtypin zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se Presidenti Biden do të ndalojë “investimet e reja, tregtinë dhe financimin nga personat amerikanë në dy rajonet e shkëputura të njohura nga Putin.
Urdhri do të “sigurojë gjithashtu autoritet për të vendosur sanksione ndaj çdo personi të vendosur të operojë në ato zona të Ukrainës”, tha Jen Psaki. Reagime ka patur edhe nga Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen dhe Charles Michel, President i Këshillit Europian kanë dënuar njohjen nga Putin të dy republikave separatiste të Luhanskut dhe Donetskut.
Edhe Shqipëria dënon njohjen e rajoneve separatiste nga Rusia. Presidenti Meta dhe ministrja Xhacka shkruajnë se vendi ynë qëndron i bashkuar me partnerët dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës.
/abcnews.al