LIVE/ Putin kërcënon njerëzimin me armë bërthamore, BE furnizon Ukrainën me avionë gjuajtës. Sot, negociata me Rusinë

schedule13:54 - 28 Shkurt, 2022

schedule 13:54 - 28 Shkurt, 2022

Lufta në Ukrainë është futur në ditën e pestë të saj. Pas orës 6:30 të mëngjesit sirenat kanë nisur të dëgjohen në Kiev, ndërsa shumë nga banorët e qytetit po strehohen nën tokë. Gjatë natës janë dëgjuar më shumë shpërthime në kryeqytetin ukrainas dhe qytete të tjera të vendit.

Mesditën e sotëm pritet të zhvillohet takimi mes delegacioneve rus dhe ukrainas në kufirin me Bjellorusinë pasi palët ranë dakord dje për negociata pa parakushte. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky deklaroi gjatë një bisede me kryeministrin britanik Boris Johnson se 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për vendin e tij.

21:11- Gjykata e Hagës nis hetimin për krime lufte të Putinit në Ukrainë

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë do të hapë një hetim për krimet e dyshuara të luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë, raporton BBC.

“Ekziston një bazë e arsyeshme për të besuar se si krimet e supozuara të luftës ashtu edhe krimet kundër njerëzimit janë kryer në Ukrainë,” tha Karim AA Khan, prokurori i ICC.

“Qëllimi im është që ky hetim të përfshijë gjithashtu çdo krim të ri të supozuar që bie në juridiksionin e zyrës sime që janë kryer nga çdo palë në konflikt në çdo pjesë të territorit të Ukrainës”, shtoi ai.

Ukraina paditi në Hagë presidentin rus Vladimir Putin ditën e djeshme. Presidenti Zelensky tha se vendi i tij ka paraqitur ankesë për gjenocid kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe po kërkon nga paneli i gjyqtarëve një vendim urgjent që urdhëron Rusinë të largohet nga territori i Ukrainës.

21:08- Pentagon: Forcat ruse po përpiqen të afrohen më afër Kievit, por rezistenca është e fortë

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se forcat ruse po përpiqen t’i afrohen kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, por megjithatë ato janë jashtë qendrës së qytetit. “Qartësisht ne vazhdojmë të shohim forcat ruse të lëvizin përpara ose të përpiqen të afrohen në mënyrë që të mund të lëvizin në Kiev nga toka,” tha Kirby gjatë një konference në Pentagon të hënën. “Ne ende vlerësojmë se ata janë jashtë qendrës së qytetit, dhe ajo që dimë qartë, është se ata kanë synime në lidhje me Kievin.”

Ukrainasit po “rezistojnë në mënyrë mjaft efektive rreth Kievit”, shtoi Kirby. “Ata e kanë bërë një pengesë të vështirë për rusët që të lëvizin më në jug.”

Kirby nuk mund të thoshte konkretisht se një autokolonë ruse që është parë në imazhet satelitore është nisur për në Kiev, por ai tha se “duket qartë, thjesht në mënyrë anekdotike, si vetëm një pjesë e dëshirës së tyre për të vazhduar lëvizjen në kryeqytet”.

20:50-  Lufta në Ukrainë, Turqia mbyll kalimin e anijeve luftarake, bllokohen 4 anije ruse

Turqia ka paralajmëruar vendet që lagen nga Detit të Zi ashtu edhe vendet e tjera, që të mos kalojnë anije luftarake nëpër ngushticat e saj të Bosforit dhe Dardaneleve, raporton Reuters. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu foli sot mbi vendimin, duke thënë: Ne zbatuam atë që thotë Montreux dhe do ta bëjmë tani e tutje. Nuk ka pasur asnjë kërkesë për kalim nëpër ngushticat deri më sot.

Konventa e Montreux e vitit 1936, së cilës i referohet Cavusoglu, i lejon Turqisë të kufizojë tranzitin detar në ngushticat e saj gjatë kohës së luftës, megjithëse i lejon anijet luftarake të kthehen në bazat e tyre të regjistruara. Të paktën katër anije ruse po prisnin vendimin e Turqisë për të kaluar nga Deti Mesdhe.

20:02- Ministri ukrainas-ushtarëve rus: Dorëzohuni dhe ju paguajmë

Ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, u ka bërë thirrje drejtpërdrejt ushtarëve rusë që luftojnë në Ukrainë , duke iu ofruar një marrëveshje.

Sipas Reznikov ushtarët rus që pranojnë marrëveshjen do të marrin amnisti të plotë dhe kompensim monetar nëse vullnetarisht i dorëzojnë armët.

Në një Twitter, Reznikov shkruan: “Ata prej jush që nuk duan të bëhen vrasës dhe të vdesin, mund të shpëtojnë veten.”

19:07- Erdogan i përgjigjet thirrjes së Ukrainës, gati të kufizojë hyrjen ruse në Detin e Zi

Turqia anëtare e NATO-s ndryshoi retorikën e saj për ta quajtur sulmin rus ndaj Ukrainës një “luftë” të dielën dhe u zotua të zbatojë pjesë të një pakti ndërkombëtar që potencialisht do të kufizonte tranzitin e anijeve luftarake ruse nga Mesdheu në Detin e Zi.

Megjithatë, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan , ka thënë se Turqia nuk mund të braktisë lidhjet e saj me Rusinë apo Ukrainën , megjithatë Ankaraja do të zbatojë një pakt për kalimin detar nga ngushticat e saj për të parandaluar një përshkallëzim të luftës, raporton Reuters.

Turqia e përshkroi pushtimin e Rusisë si një “luftë” të dielën, e cila e lejoi atë të përdorte nenet sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare të vitit 1936 që do të kufizonte kalimin e disa anijeve ruse nga ngushticat turke. Turqia ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë dhe ka lidhje të mira me të dyja.

17:41- Çfarë u vendos? Përfundojnë bisedimet Rusi-Ukrainë

Përfaqësuesit rusë dhe ukrainas kanë përfunduar bisedimet e zhvilluara në Bjellorusi që synojnë ndërmjetësimin e paqes në mes të konfliktit në vazhdim.

 Këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Mikhaylo Podolyak, tha: “Delegacionet ukrainase dhe ruse mbajtën raundin e parë të negociatave. Qëllimi i tyre kryesor ishte të diskutonin armëpushimin dhe përfundimin e veprimeve luftarake në territorin e Ukrainës. Palët kanë përcaktuar temat ku janë përcaktuar vendime të caktuara. Në mënyrë që këto vendime të të zbatohet si udhërrëfyes, palët po kthehen për konsultime në kryeqytetet e tyre. Palët diskutuan për mbajtjen e një raundi tjetër negociatash ku mund të zhvillohen këto vendime”

Të dyja palët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime përpara një raundi të dytë bisedimesh, i cili mund të zhvillohet në ditët në vijim, agjensia e lajmeve Reuters.

Pritjet për një zgjidhje paqësore nuk ishin të larta përpara takimit të së hënës. Ukraina tha se donte një armëpushim dhe tërheqje ruse, ndërsa Kremlini tha se nuk do të shpallte qëndrimin e tij. Negociatorët e Rusisë kanë folur për arritjen e një marrëveshjeje që është në interes të të dyja palëve.

17:36- Zelensky hedh firmën për anëtarësimin e Ukrainës në BE

Ndërsa ndodhet në ditën e pestë të pushtimit nga Rusia, Ukraina po hedh hapa para për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi të hënën aplikikim për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Momenti i nënshkrimit të deklaratës është bërë publik nga faqja zyrtare e Parlamentit të Ukrainës, në Twitter, ku shkruhej se “ky është një moment historik”.

Zelensky bëri thirrje më herët që Ukraina të anëtarësohet sa më parë të jetë e mundur në BE. Sakaq, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von de Leyen tha: “Ukraina është një prej nesh dhe ne e duam në Bashkimin European”.

16:41- “Armëpushim i menjëhershëm”, Macron telefonatë me Putinin dhe Zelenskyn

Presidenti francez Emmanuel Macron foli veçmas me presidentin rus Vladimir Putin dhe më pas me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të hënën. Telefonata me Putinin zgjati një orë e 30 minuta, sipas Pallatit Élysée.

Macron tha se ai bëri presion për “nevojën për të zbatuar një armëpushim të menjëhershëm”. Granatimet e fundit të qytetit të Kharkiv kanë lënë të vdekur një grua civile dhe 31 të plagosur, sipas këshillit të qytetit.

Të plagosurit përbëhen nga 15 ushtarakë dhe 16 civilë, sipas një deklarate për shtyp nga këshilli i qytetit. Gjatë ditëve të fundit, këshilli i qytetit ka regjistruar 44 të plagosur, përfshirë 20 ushtarakë dhe gjithsej shtatë të vrarë. Shtatë viktimat përfshijnë dy ushtarakë dhe pesë civilë.

15:52- Oligarkët rusë rebelohen ndaj Putin: Kemi humbur 128 miliard dollarë deri tani

Oligarkët rusë kanë nisur të shfaqin publikisht pakënaqësinë e tyre për vendimet e Putin në lidhje me Ukrainën. Oligarku rus Pjetër Aven, është ndër 36 biznesmenët që u takuan me presidentin Putin në Kremlin. Kjo është hera e parë që një oligark shpreh në mënyrë të hapur mos dakordësi ndaj vendimeve të presidentit. Letra drejtuar kreut të shtetit rus, kundër luftës në Ukrainë është shkruar nga një person që e gjykon me të vërtetë të rëndë situatën.

Ose që është i vetëdijshëm se mund t’ia lejojë vetes një gjë të tillë. Në letrën e publikuar nga Financial Times, shkruhet ndër të tjera se nuk është një deklaratë politike, por shpalosja e bindje se lufta nuk mund të jetë asnjëherë një përgjigje. “Kjo krizë do të kushtojë jetë njerëzish dhe do dëmtojë dy kombe që prej vitesh kanë marrëdhënie vëllazërie njëri me tjetrin. Mund vetëm t’i bashkohem atyre duan fundin e kësaj gjakderdhjeje”, përfundon letra e shkruar nga Aven.

15:27- Të frikësuara nga Rusia? Boris Johnson udhëton nesër në Poloni dhe Estoni

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson do të udhëtojë në Poloni dhe Estoni, tha të hënën zyra e kryeministrit.

Një zëdhënës i kryeministrit u tha gazetarëve gjatë një konference se Johnson do të udhëtojë në të dy vendet të martën për të folur me homologët e tij polakë dhe estonezë. Ai gjithashtu do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg të martën, shtoi zëdhënësi.

Kryeministri do të flasë gjithashtu me kryeministrin polak Mateusz Moraëiecki dhe krerët e G7 më vonë të hënën, sipas zëdhënësit. Në ditën e pestë të luftës Rusia dhe Ukraina takohen në Bjellorusi, pranë kufirit ukrainas në rajonin Gomel. Bisedimet zgjatën më shumë se 3 orë por ende nuk ka detaje nëse ka marrëveshje.

14:53- BE: Personat që largohen nga Ukraina do të pajisen me leje qëndrimi për 3 vite

Bashkimi Europian po përgatitet t’u sigurojë ukrainasve që largohen nga lufta të drejtën për të qëndruar dhe punuar në BE deri në tre vite, shkruan The Guardian

Të paktën 400,000 refugjatë ukrainas kanë hyrë në BE deri më tani, tha komisionerja e çështjeve të brendshme të BE, Ylva Johansson pas një vizite në një pikë kufitare midis Rumanisë dhe Ukrainës . “Ne duhet të përgatitemi për miliona refugjatë që pritet të largohen nga Ukraina”, tha ajo.

Ministrat i kërkuan të dielën Johansson-it të përgatisë propozime për të nxitur direktivën e mbrojtjes së përkohshme të BE-së, e hartuar pas luftës së viteve 1990 në Ballkan, por që nuk është përdorur kurrë deri më tani.

E krijuar për të trajtuar ardhjet masive të refugjatëve në bllokun 27-vendesh, direktiva parashikon të njëjtin nivel mbrojtjeje në të gjitha shtetet e BE-së, duke përfshirë nleje qëndrimi dhe mirëqenie sociale.

14:31 – Bullgaria aleate me Greqinë, nisin bisedimet për ndërtimin e termocentralit bërthamor

Zëvendës kryeministri dhe ministri bullgar i financave, Assen Vasilev ka folur për negociatat në lidhje me ndërtimin e termocentralit të ri bërthamor që Bullgaria ka nisur me Greqinë .

Në një intervistë për televizionin NOVA, ministri bullgar tha se vendi i tij po diskuton për nënshkrimin e një kontrate 20-vjeçare me Greqinë për energjinë elektrike nga njësia e re, si dhe për bashkëpunimin në portin e Aleksandrupolit.

“Kemi nisur negociatat me kolegët tanë grekë për ndërtimin e një termocentrali të ri bërthamor në vendin tonë, i cili do të përdoret nga Greqia me një kontratë afatgjatë, 20-vjeçare. Ne do të veprojmë jashtëzakonisht shpejt, pasi ka blerës” , tha Vasilev, duke theksuar se të dy vendet tashmë bashkëpunojnë shkëlqyeshëm në sektorin e energjisë.

14:19 – Bisedimet me Rusinë, Ukraina kërkon ndihmën e Abramovich

Roman Abramovich është kthyer në orët e fundit në një negociator të mundshëm mes Rusisë dhe Ukrainës. BBC shkruan se zëdhënësi i miliarderit rus tha se Abramovich u kontaktua nga zyrtarët ukrainas për të ndërmjetësuar bisedimet mes palëve.

55-vjeçari është një nga njerëzit më të pasur të Rusisë dhe besohet se është i afërt me presidentin rus Putin. Pak ditë më parë Abramovich ka dorëzuar administrimin e klubit të futbollit te administruesit e fondacionit të tij bamirës.

14:15 – SHBA shton sanksionet, bllokon të gjitha transaksionet me bankën qendrore ruse

Shtetet e bashkuara të Amerikës këtë të hënë kanë njoftuar për sanksione shtesë ndaj bankës qendrore të Rusisë. Mediat e huaja bëjnë me dije se administrata e Biden u ndalon amerikanëve  që të bëjnë çdo biznes me bankën, si dhe kanë ngrirë asetet brenda Shteteve të Bashkuara.

Masat e reja do të synojnë gjithashtu Fondin Kombëtar të Pasurisë së Federatës Ruse dhe Ministrinë e Financave të Federatës Ruse. Një zyrtar i lartë i administratës Biden, ka theksuar se sanksionet e reja do të hyjnë në fuqi menjëherë.

13:47 – Lufta Rusi-Ukrainë, çmimi i benzinës në stratosferë

Rritjet në çmimet globale të naftës, të shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, janë ndjerë në pikat e karburanteve në Mbretërinë e Bashkuar.

Çmimi mesatar i benzinës ka shkuar në 1.51 £ për litër të dielën, tha RAC, ndërsa nafta u rrit në 1.55 £, shkruan BBC.Rusia është eksportuesi i dytë më i madh i naftës së papërpunuar dhe ndërsa vetëm 6% e importeve në Mbretërinë e Bashkuar vijnë nga Rusia.

Ka shqetësime se sanksionet mund të kufizojnë furnizimet në mbarë botën dhe të rrisin çmimet

13:37 – Rusët bombardojnë me granata zonët e banuar në Ukrainë, dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur

Ndërsa delegacionet e Kievit dhe Moskës janë ulur në tryezën e bisedimeve në Bjellorusi, luftimet dhe bombardimet vazhdojnë. Dhjetëra civilë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur gjatë bombardimeve të rënda ruse në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, thonë zyrtarët ukrainas.

Anton Herashchenko, një këshilltar i ministrit të brendshëm të Kievit, shkroi në Facebook se trupat e Moskës kishin bombarduar zonat e banuara me raketa Grad, duke thënë: “Dhjetëra janë vrarë dhe qindra të plagosur. E gjithë bota duhet ta shohë këtë tmerr! Vdekje pushtuesit!”

13:10 – FOTO brenda takimit Rusi-Ukrainë, ministri bjellorus: Këtu jeni plotësisht të sigurt

Në këtë foto janë delegacionet ruse dhe ukrainase, të cilat u takuan sot në ditën e 5-të të luftës, në Bjellorusi dhe synojnë t’i japin fund luftës.

Të pranishëm janë ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makei, ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov, ndihmësi i Presidentit të Rusisë, Vladimir Medinsky dhe pjesa tjetër e delegacioneve përkatëse.

Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makei i ka mirëpritur delegacionet nga Ukraina dhe Rusia për bisedime të hënën, duke i siguruar anëtarët e të dy palëve se ata duhet të ndihen “plotësisht të sigurt”, raporton CNN.

Të dashur miq, presidenti i Bjellorusisë më kërkoi t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju siguroj gjithçka për punën tuaj, siç është rënë dakord me presidentin Zelensky dhe presidentin Putin. Këtu mund të ndiheni plotësisht të sigurt. Kjo është detyra jonë e shenjtë”, tha Makei.

12:53 – Hakohet uebfaqja e Agjencisë Shtetërore të lajmeve Ruse

Faqja zyrtare online e Agjencisë Shtetërore Ruse të lajmeve, TASS, duket se është hakeruar. Skynews raporton se më herët faqja kryesore e lajmeve ishte zëvendësuar nga një mesazh kundër luftës.

“Ju bëjmë thirrje që ta ndaloni këtë çmenduri, mos i dërgoni në vdekje të sigurt burrat dhe djemtë tuaj. Putin po na detyron të gënjejmë dhe po na vë në rrezik. Kjo nuk është lufta jonë, le ta ndalojmë”, shkruhej në mesazh.

Ndërsa tani në faqen e TASS shfaqet një mesazh që tregon se faqja ka rënë dhe se është jashtë funksionit.

Hacker in hoodie dark theme. Hacker on screen with binary code

12:41 – Dita e katërt e protestave, rreth 6 mijë të arrestuar në Rusi

Autoritetet ruse kanë arrestuar gjithsej 5,942 persona për pjesëmarrje në protestat kundër luftës në të gjithë vendin që kur Kremlini urdhëroi pushtimin e Ukrainës, shkruan CNN Sipas të dhënave të fundit, 2802 persona janë arrestuar për pjesëmarrje në demonstrata të paligjshme në 57 qytete në të gjithë vendin të dielën. Vetëm në Moskë janë arrestuar 1275 persona.

Sipas ligjit rus, demonstratat e mëdha kërkojnë që protestuesit të aplikojnë për një leje, e cila duhet të dorëzohet jo më shumë se 15 por jo më pak se 10 ditë përpara ngjarjes. Të enjten, Komiteti Hetues rus paralajmëroi se pjesëmarrja në çdo protestë kundër luftës ishte e paligjshme.

12:40 – Në kërkim të paqes, nëna që u largua nga shtëpia me beben 10 muajshe: Ishte e tmerrshme

Hyrja e ushtrisë ruse në Ukrainë bëri që mijëra ukrainas të braktisin vendin e tyre për një jetë më të sigurt, larg armëve, tankeve dhe bombave. I tillë është rrëfimi prekës i një nëne e cila u detyrua të largohet nga shtëpia e saj në Ukrainë me foshnjën 10 muajshe.

Në një intervistë për BBC Liza Grach, thotë se iu desh të linte burrin e saj pas dhe të largohej me beben e vogël, pasi qeveria ukrainase nuk lejon largimin nga vendi të burrave të moshës 18 deri 60 vjeç për arsye sigurie dhe mbrojtje.

Liza thotë se largimi nga shtëpia, lufta dhe çdo gjë që po ndodh aktualisht në vendin e saj është e tmerrshme.

12:35 – “Babi mbeti në Kiev”, vogëlushi përlotet teksa largohet nga lufta

Më shumë se 450 mijë ukrainas kanë dalë tashmë nga vendi për shkak të luftës duke gjetur strehim në Poloni dhe Rumani.

KE vendosi dje që të mbajë pa kërkuar dokumente të tjera shtesë ukrainasit që janë larguar nga lufta, ndërsa ushtria ruse tha se do të lejonte një corridor për largimin e civilëve që donin të iknin nga Kievi.

Mes të larguarve gjatë ditëve të fundit është dhe një vogëlush, i cili qan duke thënë se babain e ka lënë në Kiev për të luftuar.

12:23 – Zelensky bën lëvizjen e radhës: Të burgosurit do lirohen për të luftuar kundër Rusisë

Të burgosurit ukrainas me përvojë ushtarake do të lirohen nga burgu për të luftuar në vijën e parë të luftës kundër Rusisë, njoftoi presidenti ukrainas Volodymyr  Zelensky. Ai u shpreh se ata do të jenë në gjendje të kompensojnë borxhin ndaj shoqërisë duke shërbyer në pikat më të nxehta të konfliktit.

“Sipas ligjit ushtarak, ukrainasit me përvojë të vërtetë luftarake do të lirohen nga burgu dhe do të jenë në gjendje të kompensojnë fajin e tyre në pikat më të nxehta të konfliktit Ne kemi marrë një vendim që nuk është i lehtë nga pikëpamja morale, por që është i dobishëm nga pikëpamja e mbrojtjes sonë. Çelësi tani është mbrojtja”, tha Zelensky.

12:09 – Zelensky kërkoi anëtarësimin në bllokun europian, BE në pritje të aplikimit të Ukrainës

BE është në pritje të aplikimit të Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Europian.  Madje sipas zyrtarëve në Bruksel, kërkesa pritet të vlerësohet shumë shpejt nga Këshilli  Europian, shkruan The Guardian

Gjatë ditës së sotme, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje Bashkimit Europian për anëtarësim urgjent në bllokun 27-anëtarësh të vendit sipas procedurave speciale.

Që Ukraina të bëhet një vend anëtar i BE-së,  vendi kandidat duhet të përshtasë institucionet, standardet dhe infrastrukturën e tij për të qenë një shtet anëtar. Procesi i anëtarësimit përfshin përputhshmërinë me kriteret e anëtarësimit duke përfshirë miratimin dhe zbatimin e acquis. Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia janë aktualisht vende kandidate.

11:17 – A po tërhiqet Rusia? Çfarë duhet të presim nga negociatat në Bjellorusi

Salla është bërë gati për një takim midis Rusisë dhe Ukrainës pak më vonë në kufirin ukrainas-bjellorusi, pranë lumit Pripyat. A është ky një përparim diplomatik apo një shfaqje politike periferike ndërkohë që Rusia vazhdon ofensivën e saj në Ukrainë?

Fillimisht le të jemi të qartë se çfarë nuk është: Takimi nuk është një samit midis Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Presidentit rus Vladimir Putin. Shkrimin e plotë lexojeni KËTU

11:17 – Lufta në Ukrainë, NATO shton ndihmën ushtarake, rrit numrin e tankeve dhe raketave

Aleatët e NATO-s po rrisin ndihmën për Ukrainën, tha Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, pas bisedimeve me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Nëpërmjet një postimi në Twitter, Stoltrenberg thotë se ndihmat kanë të bëjnë me raketa ajrore, armë antitank, ndihma humanitare dhe financiare.

Sapo fola me presidentin Zelensky dhe e përgëzova për trimërinë e popullit dhe të forcave të armatosura të Ukrainës. Aleatët e NATO-s po forcojnë mbështetjen me raketa të mbrojtjes ajrore, armë antitank, si dhe ndihmë humanitare dhe financiare”, tha Stoltenberg.

11:07 – Ekonomia ruse po “shkrin” me shpejtësi, bota i jep Putinit një mësim të mirë

Të hënën, vlera e rublës ruse shënoi rënien më të madhe, për shkak të sanksioneve të ashpra që Perëndimi vendosi gjatë fundjavës. Sanksionet përfshinin ngrirjen e aseteve valutore të Rusisë dhe përjashtimin e bankave ruse nga SWIFT.

Ndërkohë, dollari amerikan u rrit deri në 40% kundrejt rublës. Kjo pritet të jetë një nga rëniet më të mëdha në historinë moderne të monedhës ruse, e ngjashme me krizën financiare të vendit në vitin 1998.

Mëngjesin e sotëm, banka qendrore ruse rriti normën  e interesit nga 9.5% në 20% në një përpjekje për të frenuar rënien e rublës dhe ministria e financave e vendit urdhëroi kompanitë të konvertonin 80% të të ardhurave të tyre në rubla, shkruan abcnews.al. Shkrimin e plotë lexojeni KËTU

10:58 – Delegacioni ukrainas mbërrin në kufirin me Bjellorusinë, negociatori rus jep sinjale pozitive

Rusia është e interesuar të arrijë në një marrëveshje që është në interes të të dyja palëve në bisedimet me Ukrainën, tha negociatori rus Vladimir Medinsky, raporton Reuters. Ndonëse palët ende nuk janë ulur në tryezë, pala ruse ka dhënë sinjale pozitive. “Delegacioni ukrainas ka mbërritur në kufirin Ukrainë-Bjellorusi për bisedime me Rusinë”, njoftoi Presidenca ukrainase.

Sipas deklaratës, delegacioni përfshin, ndër të tjerë Ministrin e Mbrojtjes Oleksiy Reznikov, këshilltarin e shefit të zyrës së Presidentit të Ukrainës Mykhailo Podoliak dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës Mykola Tochytskyi. Izolimi politik dhe ekonomik i Rusisë u thellua të hënën pasi forcat e saj hasën rezistencë të ashpër në kryeqytetin e Ukrainës dhe qytete të tjera në sulmin më të madh ndaj një shteti evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.

10:52 – Sulmet ruse në Ukrainë, Franca dërgon 33 ton ndihma humanitare për refugjatët e luftës

Qeveria franceze ka dërguar 33tron ndihma humanitare në Poloni për të ndihmuar ukrainasit, tha sot ministri i Brendshëm, Gerald Dharmaine, ndërsa në vijim do të dërgohen 33 ton ndihmë humanitare në Moldavi.

“Kemi dërguar tashmë 33 ton material (humanitar)” në Poloni , ku mijëra refugjatë ukrainas janë strehuar pasi Rusia pushtoi vendin e tyre, tha ministri për televizionin “France 2”.

“Bëhet fjalë për çadra, ilaçe , ushqime , çdo gjë që mund ti vijë në ndihmë ukrainasve për të lehtësuar kushtet e vështira në të cilat ndodhen”, shtoi ai.

Dy avionë civilë “të mbushur me ilaçe”, sipas ministrit, do të mbërrijnë në Poloni nesër, e martë.

10:50 – Frikë nga lufta, 422 mijë ukrainas kanë braktisur vendin që prej fillimit të pushtimit nga Rusia

Organizata e Kombeve të Bashkuara për refugjatë ka përditësuar bilancin e ukrainasve që janë larguar nga vendi që prej fillimit të sulmeve ruse më 24 shkurt.

Zyrtari i OKB-se shkruan në Twitter se 422 mijë ukrainas janë larguar nga vendi, duke u strehuar në vendet fqinje që kufizojnë me Ukrainën. OKB i cilëson ukrainasit që janë larguar nga vendi refugjatë, shkruan BBC.

Ndërkohë më shumë se 100 mijë njerëz janë zhvendosur brenda Ukrainës për të gjetur një vend më të sigurt.

10:34 – Forca Speciale nga SHBA dhe Britania e Madhe bëhen gati për t’u futur në Ukrainë

Një grup prej 10 veteranësh të forcave të operacioneve speciale po organizohen në Poloni dhe po përgatiten të kalojnë në Ukrainë për të luftuar kundër rusëve “në mbrojtjen e njerëzimit”, sipas BuzzFeedNews.

Grupi, i përbërë nga gjashtë shtetas amerikanë, tre britanikë dhe një gjerman, janë të trajnuar nga NATO dhe me përvojë në luftime të ngushta dhe kundër terrorizmit. Ata duan të jenë ndër të parët që do t’i bashkohen zyrtarisht Legjionit të ri Ndërkombëtar të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës që Zelensky shpalli të dielën.

Grupi pritet të udhëhiqet nga dy ish-oficerë të këmbësorisë amerikane.

Gjithçka ndodh teksa presidenti Zelensky i bëri apel të gjithëve që të shkonin për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni rus. Më herët, BE njoftoi se do të furnizonte Ukrainën me avionë gjuajtës dhe jo vetëm me municione duke bërë që konflikti të marrë një kthesë të fortë.

10:34 – Kina kritikon Putin për armët bërthamore, kërkesë Rusisë për qetësi

Të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qeta dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm, tha sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Kineze, Wang Wenbin, pasi presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi futjen në veprim të armëve bërthamore.

Në konferencën për gazetarët, Wank përsëriti “merakun” e Kinës për sigurinë e vendeve në mbarë botën, duke thënë se çështjet e sigurisë duhet të trajtohen me seriozitet të madh.

10:26The Times: Mbi 400 mercenarë rusë në Kiev u urdhëruan të vrasin presidentin e Ukrainës

Një nga objektivat e luftës ruse në Ukrainë është rrëzimi i qeverisë aktuale për të vendosur një tjetër që mund të komandohet lehtësisht nga Vladimir Putin. The Times raporton se më shumë se 400 mercenarë rusë po veprojnë në Kiev me urdhra nga Kremlini për të vrarë presidentin Volodimir Zelensky dhe qeverinë e tij, për të përgatitur terrenin që Moska të marrë kontrollin. Grupi Wagner, i drejtuar nga një prej aleatëve më të afërt të Presidentit Putin, fluturoi me mercenarë nga Afrika pesë javë më parë në një mision për të prerë kokën e qeverisë së Zelenskyt në këmbim të një bonusi të madh financiar.

10:11 – Rusët kërkojnë të zbrazin Kievin para sulmit, shpallin korridor të sigurt për largimin e banorëve

Ushtria ruse ka njoftuar një “korridor” të hapur dhe të sigurt për qytetarët ukrainas që duan të largohen nga Kievi.

“Ne i bëjmë thirrje popullit të Kievit. Të gjithë civilët në qytet mund të largohen lirisht nga kryeqyteti i Ukrainës përgjatë autostradës Kiev-Vasilkov, kjo rrugë është e hapur dhe e sigurt”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga ushtria ruse ditën e hënë, shkruan CNN. “Edhe një herë dua të theksoj se forcat e armatosura të Federatës Ruse godasin vetëm objektivat ushtarake. Popullsia civile nuk është në rrezik”.

10:07 – Zelensky kërkon anëtarësimin urgjent të Ukrainës në BE

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelnesky ka kërkuar anëtarësimin urgjent të vendit në Bashkimin Europian. Sot pritet të zhvillohet takimi mes delegacioneve rus dhe ukrainas në kufirin me Bjellorusinë pasi palët ranë dakord dje për negociata pa parakushte. Zelensky deklaroi gjatë një bisede me kryeministrin britanik Boris Johnson se 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për vendin e tij.

10:06 – Të gjithë sytë nga Kievi, por ky është qyteti kufitar ku rusët po pësojnë humbje të mëdha

Ndërkohë që e gjithë vëmëndja është në Kiev ku rusët po tentojnë të futen me çdo kusht për të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas, lufta më e ashpër është duke u zhvilluar në qytetin e dytë më të madh, Kharkiv, i cili ndodhet vetëm pak kilometra nga kufiri me Federatën e Rusisë.

“The Economist” ka bërë një shkrim për këtë përballje të ashpër me rusëve dhe ukrainasve në këtë qytet, të cilin abcnews.al e sjell në shqim si më poshtë:

Nga The Economist

Është e paqartë se çfarë prisnin përballë ushtarët rusë pasi grupe të tyre u përpoqën të shëtisnin lirshëm rrugëve të Kharkivit, qytetin e dytë të Ukrainës. Videot në mediat sociale, që qarkulluan nga mëngjesi i 27 shkurtit, i tregonin ata ishin duke lëvizur nga të paktën dy drejtime, duke përparuar nga periferia e qytetit drejt qendrës. Disa orë më vonë, të njëjtat kanale ishin mbushur plot me video të automjeteve të braktisura dhe ushtarë të kapur. Edhe një herë, një sulm i madh rus kishte dështuar.

Stanislav Gluzman, një sipërmarrës i cili jeton në qendër të Kharkiv, një qytet me 1.5 milion banorë, tha se rusët duhet të kenë menduar “se forcat ukrainase do të kapitullonin shpejt dhe njerëzit do të ishin të lumtur t’i shihnin”.

Një autokolonë me forca speciale ruse, shtoi ai, kishte arritur në 450 metra nga statuja e njohur e qytetit për një hero dhe poet kombëtar ukrainas, Taras Schevchenko, përpara se të binte në pritë jashtë një supermarketi. Sipas një zyrtari lokal të sigurisë, dhjetëra rusë u kapën rob.

Nga mesi i pasdites, ushtarët ukrainas po rrethonin një shkollë 5 km nga qendra e qytetit. Brenda ndërtesës ishin ushtarë rusë, të cilët më parë kishin ikur nga makinat e tyre të blinduara, pasi u zunë në pritë nga luftëtarët ukrainas. Dy ushtarë të tjerë raportohet se janë kapur rob.

Pamjet dramatike të ndara me “The Economist” nga një mik i një ushtari që luftonte në shkollë treguan trupat ukrainase duke qëlluar, një të burgosur të ri rus të tmerruar dhe ushtarë ukrainas që vraponin nëpër rrugë për të shkarkuar armët dhe furnizimet nga automjetet e sulmuesve. Dyert e tyre u hapën, ata i braktisën menjëherë për t’i shpëtuar ndonjë rakete anti-tank.

Maria Avdeeva, një gazetare që gjithashtu jeton afër qendrës, tha se rusët kishin hyrë në qytet në grupe të vogla, por forcat ukrainase po prisnin. “Ushtria ukrainase filloi t’i shkatërronte ata pothuajse menjëherë”, tha ajo. Kur ra mbrëmja, zhurmat e betejës u tërhoqën në aeroportin e Kharkivit dhe gjetkë në periferi të qytetit.

Zonja Avdeeva u godit më shumë nga pamja e robërve rusë të parë në video. “Ata duken si fëmijë! Ata thonë se u sollën këtu nga Lindja e Largët e Rusisë dhe u tha se po shkonin në një stërvitje.

09:56 – Kryeministri britanik: Putin duhet të dështojë

Pas futjes së masave dhe sanksioneve të ashpra ndaj institucioneve financiare të Rusisë, kryeministri britanik, Boris Johnsosn, thotë se presidenti rus, Vladimir Putin duhet të dështojë.
Nëpërmjet një postimi në Twitter ai thotë se është i vendosur të aplikojë sanksionet më të rënda kundër Putin.

“Ne e kemi izoluar më tej Rusinë nga sistemi financiar ndërkombëtar këtë mëngjes. Duke punuar me partnerët tanë dhe G7, ne jemi të vendosur të vendosim masat më të rënda ekonomike të mundshme kundër Presidentit Putin për fushatën e tij të neveritshme kundër Ukrainës. Putini duhet të dështojë”, shkruan Johnson në Twitter.

09:55 – Dje ishte një ditë e zezë për rusët: Mbi 5300 ushtarë të vrarë dhe gati 200 tanke të shkatërruara

Vladimir Putin si duket nuk ishte përgatitur për një rezistencë të fortë nga Ukraina në luftën e shpallur katër ditë më parë. Dje pranoi për herë të parë vdekjet e ushtarëve, pasi ishte dita kur pësoi humbjet më të mëdha. Në një bilanc të publikuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës sot në ditën e 5-të të luftës thuhet se dita e djeshme ka qenë e zezë për armikun e tyre rus, ndërsa deri më tani në total thuhet se janë vrarë mbi 5300 ushtarë dhe janë shkatërruar gati 200 tanke.

Njoftimi i FA ukrainase:

Humbja totale e vlerësuar e armikut nga ora 24.02 deri në 28.02 në 6:00 të mëngjesit.

  • Avionë – 29
  • Helikopterë- Helikopterë- 29
  • Personeli – afërsisht – 5300
  • Tanke – 191
  • Mjete të blinduara të personelit – 816
  • Sistemi i raketave BUK – 1
  • MLRS BM-21 “Grad” / MLRS BM-21 “Grad” – 21
  • Automjete – 291
  • Rezervuarët e karburantit – 60
  • Niveli operacional dhe taktik UAV / Niveli operacional dhe taktik UAV – 3
  • Anije / varka – 2
  • Sistemet e luftës kundërajrore – 5

09:44 – Rusët thonë se morën kontrollin e centralit bërthamor, Ukraina e mohon

Forcat pushtuese ruse kanë marrë në kontroll dy qytete të vogla në Ukrainën juglindore dhe zonën përreth një termocentrali bërthamor, sipas agjencisë së lajmeve Interfax, por janë hasur me rezistencë të ashpër në vende të tjera ndërsa izolimi diplomatik dhe ekonomik i Moskës vazhdon të thellohet, shkruan The Guardian

Në Kiev dhe Kharkiv janë dëgjuar shpërthime të mëdha në orët e para të mëngjesit, sipas autoriteteve ukrainase. Por, forcat ruse nuk kanë arritur të marin në kontroll qytetet kryesore.

09:36 – Inteligjenca britanike: Forcat ruse ndodhen 30 km larg Kievit

Pjesa më e madhe e forcave ruse janë 30 kilometra larg Kievit, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në një postim në Twitter të hënën, shkruan CNN

Përparimi i Rusisë u “ngadalësua nga forcat ukrainase që mbronin aeroportin Hostomel, një objektiv kyç rus për ditën e parë të konfliktit”, citoi ministria.

Luftimet e ashpra vazhdojnë rreth Chernihiv dhe Kharkiv, megjithatë të dy qytetet mbeten nën kontrollin ukrainas.

09:33 – Radhë në karburante dhe banka, Abcnews.al siguron videon, si është situata ne Ukrainë

Lufta në Ukrainë është futur në ditën e pestë të saj, me sirenat e luftës që kanë nisur që prej orës 6:30 të mëngjesit.

Ukrainasit janë dyndur në karburante dhe banka për të përballuar sa më lehtë të jetë e mundur ditët e luftës, pasi ushtria ruse hyri në vendin e tyre që prej 24 shkurtit. Abcnews.al ka siguruar pamje ku duken radhët e gjata të qytetarëve ukrainas në karburante dhe banka.

09:22 – Ukraina: Ofensiva ruse është ngadalësuar

Kabineti qeveritar ukrainas ka njoftuar se forcat ushtarake ruse kanë ulur ritmin e ofensivës.

“Ushtarët rusë kanë ulur ritmin e ofensivës, por ende po përpiqen të zhvillojnë arrijnë në disa zona kundër Ukrainës”, shkruhet në postimin e Kabinetit të Ministrave në faqen e tyre zyrtare në Twitter, shkruan CNN.

Këshilli bashkiak i Kievit njoftoi sot në mëngjes nata e kaluar në kryeqytet ishte e qetë, megjithatë autoritetet paralajmëruan banorët të qendrojnë brenda në shtëpi, ndërsa luftimet vazhdojnë.

09:17 – Paralajmëron Britania: Putin bëri llogari të gabuara, përgatituni për bombardim të pamëshirshëm

Britania parashikon një luftë me të ashpër ruse në Ukrainë. Forcat ruse janë nën presion në Ukrainë dhe do të bëhen më të dhunshme. Ky është paralajmërimi i sekretarit të mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar.

Ukrainasit po bëjnë një luftë shumë të fortë”, tha Ben Wallace për BBC Breakfast. Ai thotë se presidenti rus Vladimir Putin ka bërë një “llogari të gabuara” pasi ka pritur që populli ukrainas të mos luftonte në këtë mënyrë. Kjo do të thotë se rusët duhet të ndryshojnë planin e tyre.

09:01 – Zyrtari britanik: Mos shkoni të luftoni në Ukrainë nëse nuk trajnoheni siç duhet

Një ditë më parë Britania e Madhe iu përgjigj pozitivisht thirrjes së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili u bëri thirrje ndërkombëtarëve që ti bashkohen në luftën kundër Rusisë.

Zyrtarët britanikë thanë se do të mbështesin anglezët nëse zgjedhin të shkojnë në luftë për të ndihmuar Ukrainën. Ndërkohë sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, dha disa këshilla për qytetarët britanikë që duna të shkojnë në luftë.

Ai paralajmëroi qytetarë të mos shkojnë në luftë nëse nuk janë trajnuar siç duhet. Ai tha se ka “mënyra më të mira” për të ndihmuar Ukrainën sesa të udhëtosh për t’u bashkuar me luftimet, pa përvojë ushtarake.

08:56 – Mbretëria e Bashkuar njofton sanksionet e reja kundër Rusisë

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar sapo ka njoftuar një sërë masash “për të ndaluar çdo person fizik ose juridik të Mbretërisë së Bashkuar të ndërmarrë transaksione financiare që përfshijnë bankën qendrore ruse, fondin e pasurisë  kombëtare  dhe ministrinë e financave të vendit”, shkruan The Guardian

Konkretisht, këto masa synojnë

-Të parandalojë Bankën Qendrore të Rusisë që të përdorë rezervat e saj valutore prej 630 miliardë dollarësh

– Të ndalojë bankat e përcaktuara nga aksesi i pagesave të sterlinës dhe kleringut përmes MB;

-Të forcojë ndjeshëm kufizimet tregtare kundër Rusisë;

Kancelari Rishi Sunak tha se masat “dëshmojnë vendosmërinë tonë për të aplikuar sanksione të rënda ekonomike në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës”. Ai shtoi se masa do të imponojë “kostot më të larta për Rusinë dhe do ta ndërpresë atë nga sistemi financiar ndërkombëtar për sa kohë që ky konflikt të vazhdojë”.

08:49 – Ditën e bisedimeve paqësore, Rusia i afrohet “zemrës” së Ukrainës, Lukashenko s’mbajti premtimin

-Qindra mijëra njerëz i kaluan 4 ditët e fundit në errësirë ​​nën tokë. Orari u hoq dhe ata më në fund mund të largoheshin nga streha e tyre. Por gjysmë ore më vonë bien sirenat e sulmit ajror dhe qytetarët duhet të kthehen me nxitim, shkruan BBC. Këto ishin momentet që ata shpresonin se mund të vraponin për të marrë ushqim, ujë, për të marrë frymë në ajër të pastër.

Këtë mëngjes dëgjuam nga zyrtarë ushtarakë se Ukraina kishte zmbrapsur disa sulme nga trupat ruse jashtë kryeqytetit të Kievit. Kishte sirena sulmi ajror që pa zbardhur dita, ndërsa shpërthime pati rreth qytetit gjatë gjithë natës. Pra, duket se edhe në një ditë kur pritet të fillojnë bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës, Rusia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet e saj për t’iu afruar gjithnjë e më shumë zemrës së këtij kryeqyteti.

08:48 – Koreja e Jugut gati sanksionet kundër Rusisë, dërgon ndihma humanitare në Ukrainë

Koreja e Jugut do të ndalojë eksportet e materialeve strategjike në Rusi dhe do t’i bashkohet përpjekjeve ndërkombëtare për të bllokuar disa banka ruse nga sistemi global i pagesave SWIFT, tha të hënën Ministria e Jashtme e vendit, sipas CNN

Ministria nuk bëri të ditur se cilat materiale strategjike kyçe do të ndaloheshin por tha se kishte njoftuar Shtetet e Bashkuara për vendimin e tyre nëpërmjet një diplomati. Vendimi nëse do të ndalohen gjithashtu eksportet e materialeve jostrategjike, duke përfshirë gjysmëpërçuesit dhe pajisjet elektronike, do të merret së shpejti.

08:43 – Kievi heq shtetrrethimin ndërsa luftimet vazhdojnë

Në Kiev ka kaluar ora 8 e mëngjesit dhe banorët e kryeqytetit ukrainas tani mund të të largohen nga strehat nëntokësore ku kanë qëndruar, pasi shtetrrethimi gjatë fundjavës është hequr, shkruan BBC

Dyqanet ushqimore dhe transporti publiK do të hapen, megjithëse trenat e metrosë do të lëvizin shumë më rrallë se zakonisht. Në fundjavë ka pasur shpërthime të shumta, kryesisht në periferi të Kievit. Por pavarësisht përpjekjeve të shumta kryeqyteti mbetet në duart e Ukrainës.

Megjithatë, zyrtarët e Kievit kanë paralajmëruar se lufta është larg përfundimit, pasi luftimet në rrugë vazhdojnë pothuajse në çdo lagje të qytetit. Zyrtarët shtetërorë thonë se ata në Kiev do të zgjohen për të parë një peizazh qyteti që është shumë i ndryshëm nga ai me të cilin janë mësuar.

08:43 – Banka Qendrore e Rusisë rrit normat e interesit

Banka Qendrore e Rusisë ka njoftuar se po rrit normën e saj bazë të interesit në 20%, nga 9.5%, për të përballuar rreziqet e zhvlerësimit të monedhës ruse (rubla) dhe inflacionin e lartë, ndërsa zyrtarët përpiqen të frenojnë pasojat nga sanksionet perëndimore.

Moska ka urdhëruar gjithashtu kompanitë të shesin 80% të të ardhurave të tyre në valutë të huaj, thanë banka qendrore dhe ministria e financave, shkruan BBC.

“Kushtet e jashtme për ekonominë ruse kanë ndryshuar në mënyrë drastike”, thuhet në një deklaratë të bankës qendrore në Rusi. Ndërkohë mëngjesin e sotëm pritet të zhvillohet takimi mes delegacioneve rus dhe ukrainas në kufirin me Bjellorusinë pasi palët ranë dakord dje për negociata pa parakushte.

08:31 – Bilanci tragjik i luftës në Ukrainë, rusët qëllojnë për vdekje prindërit dhe të bijën në makinë

Lufta në Ukrainë është futur në ditën e pestë të saj. Mëngjesin e sotëm pritet të zhvillohet takimi mes delegacioneve rus dhe ukrainas në kufirin me Bjellorusinë pasi palët ranë dakord dje për negociata pa parakushte. Ndërkohë numri i vdekjeve po rritet nga dita në ditë, me ministrinë e Shëndetësisë në Ukrainë, që njofton se në total që prej fillimit të pushtimit janë vrarë 352 civilë, midis tyre 14 fëmijë.

Ndërsa 1.684 qytetarë ukrainas janë plagosur, përfshirë dhe 116 fëmijë. E trishtë është historia e një vajze të vogël ukrainase, e cila u qëllua për vdekje bashkë me prindërit e saj nga sabotatorët rus. Nënkryetari i bashkisë së Kievit, Volodymyr Bondarenko, nëpërmjet një postimi në Facebook tha se sabotatorët rus hapën zjarr ndaj familjes, teksa ata ndodheshin në makinë.

08:26 – Ministria bjelloruse publikon fotot: Kjo është salla ku do takohen delegacionet ruse dhe ukrainase

Bjellorusia ka njoftuar se është gati salla ku do të zhvillohen bisedimet mes delegacioneve ukrainase dhe ruse pasi lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e pestë të saj.

Ukraina ra dakord një ditë më parë të dërgojë përfaqësuesit e saj diplomatikë në afër me Bjellorusinë, pavarësisht raporteve se lideri i vendit Alexandër Lukashenko është gati të dërgojë trupa për t’iu bashkuar Rusisë.

“Vendi për bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi është përgatitur, pritet ardhja e delegacioneve”, tha ministria e Jashtme Bjelloruse në rrjetet sociale duke publikuar një foto të tryezës në krye të së cilës janë vendosur flamuri rus dhe ai ukrainas.

07:44 – Presidenti i Brazilit: Ukrainasit zgjodhën t’i besojnë një komediani, do qëndrojmë neutral

Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e dielë presidenti brazilian Jair Bolsonaro ironizoi situatën në Ukrainë dhe presidentin Volodymyr Zelensky.

Sipas BBC, ai u shpreh se njerëzit e tij i kanë vënë shpresat e tyre në duart e një komediani.

Bolsonaro ka refuzuar të dënojë pushtimin e Rusisë dhe të dielën tha se Brazili do të qëndrojë “neutral” në konflikt, duke shtuar se Brazili dhe Rusia janë “praktikisht kombe vëllezër”.

07:37 – Lufta me Rusinë, Zelensky: Ukrainën e presin 24 orë vendimtare

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se 24 orët e ardhshme do të jenë kritike për Ukrainën, pasi luftimet me forcat ruse janë po shtrihen në të gjithë vendin.

Zelensky i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me kryeministrin britanik, Boris Johnson. Johnson lavdëroi udhëheqjen e Zelenskyt derisa vendi i tij po lufton me forcat pushtuese ruse.

“Presidenti Zelensky tha se besonte se 24 orët e ardhshme ishin një periudhë vendimtare për Ukrainën dhe kryeministri tha se do të bënte gjithçka që mundej për të ndihmuar në sigurimin e ndihmës mbrojtëse nga Britania e Madhe dhe aleatët që të arrinin në Ukrainë”.

07:30 – SHBA u bën thirrje qytetarëve amerikanë në Ukrainë të largohen: Merrni parasysh rrugët dhe rrezikun

Ambasada e SHBA në Kiev u ka bërë thirrje qytetarëve të saj në Ukrainë të largohen nga vendi nëse ndihen të sigurt se mund ta bëjnë një gjë të tillë pa rrezikuar jetën e tyre. Ajo thekson se shumë prej rrugëve që mund të ndiqen janë të mbipopulluara dhe të ekspozuara ndaj operacioneve luftarake, ndaj rekomandoi kalimet përmes Hungarisë, Rumanisë dhe Sllovakisë.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen tani me opsione private, nëse janë të sigurt. Merrni parasysh rrugët dhe rrezikun. Shumë kalime kufitare tokësore polake dhe vendkalime kryesore të Moldavisë krijojnë pritje të gjata. Ne rekomandojmë kalimet kufitare të Hungarisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Pritjet mund të jenë orë të tëra”, njoftoi ambasada.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!