Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar kufizime të përkohshme në qarkullim në aksin Tiranë–Durrës, në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”.
Sipas ARRSH-së, në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2026, në intervalin 23:00–05:00, do të kryhen punime për montimin e trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit.
Për garantimin e sigurisë gjatë punimeve, do të ketë bllokim të përkohshëm të korsive të lëvizjes në të dyja drejtimet, Tiranë–Durrës dhe Durrës–Tiranë.
Në drejtimin Tiranë–Durrës, automjetet do të devijohen nëpërmjet rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë lëvizjen në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet përmes rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.
Për mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, devijimi do të nisë që në nyjën “Casa Italia”, duke vijuar më pas përmes rrugës dytësore.
Në drejtimin Durrës–Tiranë, automjetet do të devijohen nëpërmjet mbikalimit Kashar–Thumanë dhe do të vijojnë në rrugën dytësore në anën e majtë. Rikthimi në autostradë do të bëhet pas mbikalimit të Kasharit.
Ndërkohë, automjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, për të vijuar më tej në drejtimin përkatës.
ARRSH bën me dije se gjatë gjithë periudhës së punimeve do të jetë e pranishme sinjalistika e përkohshme rrugore. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të ndjekin sinjalizimin dhe udhëzimet e personelit të angazhuar për menaxhimin e trafikut.

