Barcelona ka nesër misionin e vështirë të “remuntada” ndaj PSG, pas humbjes së parë në “Camp Nou” me shifrat 1-4 për 1/8-at e Champions League. Por asgjë nuk është e pamundur dhe këtë e thotë edhe vetë trajneri i katalanasve, Ronald Koeman në konferencë për medie, një ditë para ndeshjes.
“E dimë se PSG ka shumë ambicie në këtë ndeshje. Lojtarët e dinë se ç’duhet për të kthyer rezultatin dhe ata duhet të punojnë për të treguar nivelin e tyre më të mirë individual dhe kolektiv për të ndryshuar gjërat, që s’i bëmë mirë në shtëpinë tonë.
Përmbysja e vitit 2017? Nuk mendoj se PSG ka frikë nga ne. Me siguri trajneri i tyre ka menduar që lojtarëve të tyre të mos u duket aspak e lehtë kjo ndeshje. Janë rrethana krejtësisht të ndryshme nga atëherë, është shumë më e lehtë ta luash ndeshjen e dytë në shtëpi dhe jo jashtë.
Messi? Nëse mendojmë të jemi në gjendje të përmbysim ndeshjen e parë, kemi nevojë për nivelin më të mirë të tij. Nëse Leo është i aftë të bëjë një nga ndeshjet e tij më të mira, gjithçka është e mundur. Ai mund të vendosë çdo ndeshje në çdo kohë.
Araujo nuk është ende në formën e tij më të mirë, ai ka ende nevojë për stërvitje, mund të jetë i gatshëm për ndeshjen Huesca në LaLiga. Unë tashmë e kam 11-shen në mendjen time. Kemi analizuar ndeshjen e parë në mbledhje. Ne e dimë se te Barça duhet të fitosh dhe ne do të shkojmë për të treguar këtë mentalitet, që kemi demonstruar për një kohë të gjatë.
Do të jetë shumë e vështirë. Ne luajmë kundër një ekipi si PSG që nuk na lejon të luajmë shumë. Shoh që flasin për mungesat e tyre, por ne kemi akoma më shumë. Laporta dhe Messi njihen shumë mirë dhe kanë simpati për njëri-tjetrin, por nuk e di nëse kjo do e mbajë Leon. E mira është se kemi një president dhe projekti vazhdon”, u shpreh Koeman. /abcnews.al