Lorik Boshnjaku është larguar nga Prishtina dhe është bashkuar me Mirel Josën sërish, këtë herë te Vllaznia. Mesfushori qendror ka dhënë një intervistë për faqen e klubit shkodran ditën e sotme.
“Vllazninë e zgjodha së pari sepse është një klub i madh, me tifozë shumë të zjarrtë. Jam ndier shumë mirë nga dita e parë që kam mbërritur këtu. E di që është një kub me traditë shumë të madhe dhe shpresojmë që ta kthejmë titullin pas shumë vitesh në Shkodër. Kjo është një arsye pse kam ardhur këtu”, tha fillimisht Boshnjaku.
“Largimi nga Prishtina? Ka qenë e vështirë, sepse kam kaluar shtatë vite atje, mirëpo e ndieja që kisha nevojë për një aventurë të re dhe se zgjedhja më e mirë ishte Shkodra. Nuk mendoj se do të jetë e vështirë të ambientohem”.

“Kalimi te Vllaznia prej Josës? Normalisht ka ndikuar shumë, sepse me Josën kam punuar thuajse dy vite te Prishtina, ku kemi kaluar një kohë shumë të mirë. Atë që lamë përgjysmë te Prishtina, shpresoj ta vazhdojmë te Vllaznia:.
“Universitatea Craiova? Normalisht është një rival shumë i vështirë në letër. Gjithsesi ne besojmë të ky grup dhe cilësitë tona. Shpresojmë që ta kalojmë, edhe pse kundërshtari është favorit në letër”.
“Objektivat? Dëshira ime më e madhe është të shpallemi kampion. Dy vite radhazi Vllaznia ka fituar Kupën e Shqipërisë dhe shpresojmë që ky vit të jetë viti i Vllaznisë dhe të fitojmë titullin. E meritojnë këta tifozë, këta drejtues. Me këtë grup lojtarësh që kemi, besoj se do t’ia arrijmë qëllimit”, përfundon Boshnjaku. / abcnews.al

