Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Pse pretendimi se të pasurit e sundojnë Amerikën është një mit

schedule14:51 - 19 Gusht, 2021

schedule 14:51 - 19 Gusht, 2021

Nga Rainer Zitelmann, National Interest

Shumë njerëz pretendojnë se qytetarët më të pasur të Amerikës, janë ata që diktojnë axhendën politike të vendit. Në mbarë botën, SHBA-ja cilësohet si një shembulli kryesor se si në vendet kapitaliste, të pasurit jo vetëm që e dominojnë ekonominë, por edhe politikën. Për shumë njerëz, fakti që Donald Trump, që njihet për pasurinë e tij të madhe, u bë president i vendit, duket se e konfirmon këtë tezë. Por nëse shihni mënga afër, zgjedhja e Trump vërtetoi pikërisht të kundërtën. Edhe Benjamin I.Page dhe Martin Gilens, ithtarët më të shquar të tezës se politika kontrollohet nga të pasurit, e pranojnë në librin e tyre “Demokracia në Amerikë” se “shumica e donatorëve në fushata mbështetën kandidatët e tjerë”.

Dhe kjo pasi “pozicionet e Trump binin direkt në kundërshtim me pikëpamjet e donatorëve të pasur dhe amerikanëve të pasur në përgjithësi”.Ndërkohë, nëse të pasurit do të kontrollonin vërtet politikën amerikane, Trump nuk do t’i kishte fituar kurrë zgjedhjet e vitit 2016.



Ato do t’i kishte fituar Hillary Clinton. Këtë e pranojnë Page dhe Gilens:“Kandidatja më i mirë-financuar Hillary Clinton i humbi zgjedhjet”. Clinton dhe aleatët e saj, grumbulluan më shumë se 1.2 miliardë dollarë fonde sipas Komisionit Federal të Zgjedhjeve.

Trump dhe aleatët e tij mblodhën vetëm rreth 600 milionë dollarë. Sipas Edwards dhe Bourne:“Asnjë nga drejtuesit e 100 kompanive të mëdha në SHBA nuk dhuroi para për fushatën e Trump deri në shtatorin e vitit 2016. Fitorja e tij nuk erdhi nga ndikimi i të pasurve, por më shumë nga kundërshtimi i njerëzve të thjeshtë ndaj elitave të pasura që jetojnë në bregun lindor dhe atë perëndimor të SHBA-së”.

Dhe nëse vetëm paratë mund ta blinin pushtetin politik, Joe Biden nuk do të ishte sot president. Mbase në vend të tij do të ishte Michael Bloomberg, qënë kohën e kandidimit të tij brenda Partisë Demokratike ishte njeriu i tetë më i pasur në botë sipas revistës “Forbes”, me një pasuri në vlerën 61.9 miliardë dollarë.

Ndoshta asnjëherë më parë në histori një kandidat nuk ka shpenzuar kaq shumë para nga paratë e tij në një hapësirë ​​kaq të shkurtër kohore në një fushatë elektorale:rreth 1 miliardë dollarë në pak më shumë se 3 muaj. Kjo u zbulua në një raport të Komisionit Federal të Zgjedhjeve (FEC) mbi financimin e fushatës.

Bloomberg e financoi vetë fushatën e tij, pa pranuar asnjë donacion. Por ai nuk është i vetmi kandidat, pasuria e të cilit nuk e ndihmoi që të nominohet si kandidat presidencial. Republikani Steve Forbes shpenzoi 69.2 milionë dollarë kur u përpoq të fitonte nominimet për zgjedhjet e viteve 1996 dhe 2000, duke arritur në fund të fitonte disa delegatë.

Në vitin 2020, menaxheri miliarder Tom Steyer shpenzoi plot 200 milionë dollarë nga paratë e tij pa fituar as edhe një delegat të vetëm. Në zgjedhjet paraprake brenda partisë Republikane në vitin 2008,kandidati i pasur Mitt Romney shpenzoi 2 herë më shumë para sesa John Mccain – përfshirë një pjesë të konsiderueshme të parave të tij -por në fund ishte Mccain ai që fitoi emërimin si kandidati i republikanëve në ato zgjedhje.

Vëllezërit Koch janë portretizuar gjithnjë nga kritikët e kapitalizmit si pro-kapitalistët më të rrezikshëm. Por David Koch e mësoi në vitin 1980 se sa e vështirë është që paratë të japin pushtet politik, kur mbështeti Partinë Libertariane dhe garoi si kandidati i tyre për zëvendëspresident.

Në historinë e zgjedhjeve amerikane, disa kandidatë demokratë janë mbështetur kryesisht nga donatorë të mëdhenj. Ndërkohë,të tjerët si Bernie Sanders, janë mbështetur shumë më tepër tek donatorët më të vegjël. Në zgjedhjet brenda-partiake të vitit 2016, 60 për qind për qind e donacioneve për Sanders erdhën nga njerëz që dhuruan më pak se 200 dollarë.

Natyrisht e njëjta gjë vlen edhe për kandidatët republikanë. Për shembull Barry Goldwater dhe Patrick Buchanan, mobilizuan një numër të madh donatorësh të vegjël, ndërsa kandidatët si Jeb Bush u mbështetën kryesisht nga donatorët e mëdhenj.

Në librin e tij “Demokracia e pabarabartë”, Larry M.Bartels kritikon pabarazinë dhe ndikimin e të pasurve në Shtetet e Bashkuara. Ai shqyrtoi “efektin e shpenzimeve të pabarabarta në fushatë” në 16 palë zgjedhje presidenciale amerikane nga viti 1952 deri në vitin 2012, duke arritur në përfundimin se “kandidatët republikanë i mposhtën rivalët e tyre demokratë në 13 nga ato zgjedhje”.

Por Bartels arrin në përfundimin se në vetëm dy zgjedhje, përkatësisht atë të Richard Nixon në vitin 1968 dhe të George W. Bush në vitin 2000 “kandidatët republikanë u zgjodhën më një rezultat të ngushtë,dhe ka shumë të ngjarë të kishin humbur nëse nuk do të ishin në gjendje të tejkalonin kundërshtarët e tyre demokratë”.

Në një artikull të vitit 2016 për New York Times nën titullin “Fuqia e parave në politikë është e mbivlerësuar”, Bradley A.Smith, ish-kryetar i Komisionit Federal të Zgjedhjeve thekson ndër të tjera:“Ndërsa paratë janë jetike për të informuar publikun, zgjedhjet e fundit dëshmuan edhe një herë se paratë nuk mund t’i diktojnë pikëpamjet që dëgjojnë qytetarët. Jeb Bush nuk është i vetmi kandidat i mirë-financuar që braktisi garën… Roli i parave në politikë është mbivlerësuar shumë”.

Në librin e tij “Pasuria dhe ndikimi”, Martin Gilens argumenton se votuesit më të pasur ndikuan në politikën amerikane më shumë sesa votuesit nga grupet me të ardhura më të ulëta. Ai shqyrtoi 1.923 pyetje nga sondazhet e realizuara në SHBA në vitet 1981-2002, dhe të plotësuara me grupe të dhënash nga vitet 1964-1968 dhe 2005-2006.

Gilens analizoi pikëpamjet politike të familjeve me të ardhura të ulëta, të mesme dhe të larta, dhe pastaj krahasoi përgjigjet e tyre në sondazhe me politikat qeveritare në vitet që pasuan zgjedhje. Ai vëren një “pabarazi përfaqësuese”, duke theksuar se në disa raste mendimet e atyre me të ardhura të mesme kishin më pak shanse për t’u marrë parasysh nga qeveria sesa ato të grupeve me të ardhura të larta.

Por vlen të përmendet se ndërsa kjo vlen për çështjet fetare, politikën e jashtme dhe politikën ekonomike, ajo nuk vlen për politikat sociale, siç e pranon edhe vetë Gilens. Ky i fundit kërkon një pagë minimale më të lartë, përfitime më të mëdha të papunësisë, një rregullim më të rreptë të korporatave dhe një regjim më progresiv të taksave personale në përgjithësi.

Por nëse një pagë minimale më e lartë, taksa më të larta për të pasurit dhe më shumë rregullime janë realisht në interesin e punonjësve të pakualifikuar, kjo është e diskutueshme. Dy presidentët amerikanë që janë kritikuar më shumë dekadat e fundit për përfaqësimin e njëanshëm të interesave të të pasurve ishin Ronald Reagan dhe Donald Trump. Që të dy ulën ndjeshëm taksat për të pasurit, por kjo i ndihmoi ata me të ardhura të ulëta,madje më shumë se shumë nga politikat sociale.

Nëse të pasurit në vendet perëndimore janë fajtorë për ndonjë gjë, kjo nuk është se ata janë shumë aktivë politikisht, por përkundrazi se ata nuk janë politikisht mjaftueshëm aktivë.

Të paktën kjo është e vërtetë për të pasurit pro-kapitalistë.

Ndërsa zërat e anti-kapitalistë si George Soros dhe Tom Steyer, që kërkojnë me forcë taksa më të larta mbi të pasurit, jehojnë me shumë në mediat sociale, përkrahësit e kapitalizmit flasin rrallë në publik.

Page dhe Gilens i referohen “heshtjes publike të shumicës së miliarderëve”, që sipas tyre “kontraston dukshëm me gatishmërinë e një grupi të vogël e të pazakontë miliarderësh – përfshirë Michael Bloomberg, Warren Buffett, dhe Bill Gates – për të folur për politika specifike”. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Rainer Zitelmann është sociolog gjerman. Libri i tij i fundit titullohet “Fuqia e kapitalizmit dhe të pasurit në sytë e opinionin publik”.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!