PS rrëzon 4 dekrete të Metës

schedule12:57 - 3 Shtator, 2019

schedule 12:57 - 3 Shtator, 2019

Shkarkimi i Presidentit nuk është përplasja e vetme e Ilir Metës me socialistët. Mazhoranca ka rrëzuar në Komisionin e Ekonomisë 4 dekretet e para të presidentit, duke lënë në fuqi ligjin për koncesionet si dhe kontratat për rrugët Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren. 5 dekrete të tjera janë parashikuar të rrëzohen në vijim.

Mazhoranca nisi rrëzimin e 9 dekreteve verore të Ilir Metës, duke mos pranuar të korrigjojë ligje si ai për koncesionet, apo kontratat me Partneritet Publik Privat për rrugët Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren.

Këshilltari Juridik i Presidentit tha se kreu i shtetit i vlerësonte të rrezikshme koncesionet e këtyre rrugëve për buxhetin e shtetit. Sipas Bledar Dervishajt, ministritë e linjës kishin refuzuar të jepnin informacion zyrtar për këto fatura.

PS po ashtu është e vendosur të mos pranojë vërejtjet e presidentit për Kodin Penal apo për ligjin e Akademisë së Shkencave./ABC News Albania 24/7