Një ditë para përfundimit të afatit të partive politike, Partia Socialiste u regjistrua si e para për zgjedhjet e parakohshme lokale të 9 nëntorit.
Kryekomisioneri pranoi kërkesën e partisë së drejtuar nga Edi Rama. Kurse nga krahu tjetër, Partia Demokratike nuk e ka ndarë ende mendjen, do të regjistrohet si parti në këto zgjedhje, apo do e lërë vetëm Florian Binajn e pavarur, duke vulosur kështu bojkotimin e këtyre zgjedhjeve.
Megjithatë, dy parti më të vogla opozitare nuk kanë pritur për Partinë Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar u regjistruan po ashtu në zgjedhjet e 9 nëntorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në pritje të vendimit të nesërm të Kolegjit Zgjedhor, ka riformuluar afatet e regjistrimeve. Deri në mesnatës e 14 tetorit do të mund të regjistrohen partitë, deri më 19 tetor koalicionet e deri më 22 tetor kandidatët.
Fushata mbetet e pandryshuar, 1-9 nëntor. Kjo vlen vetëm për 5 bashki, për sa kohë zgjedhjet në Tiranë janë pezulluar.
KQZ në këto kushte ka rikalkuluar edhe kostot edhe zgjedhjeve të pjesshme lokale. Me Tiranën shkonte 3.6 milion euro, pa Tiranën, vetëm në 5 bashkitë e tjera, vetëm 1.6 milionë euro.
Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, një kandidat duket disa hapa para. Ogerta Manastirliu e PS prej ditësh ka marrë me radhë lagjet e Tiranës për të takuar qytetarët. Së fundmi, u ndal në njësinë 5, bashkë me Ballën e Peleshin. Ajo ka nisur projektin e Tiranës Europiane.
“Kemi nisur Rilindje 2.0, një program që i heq barrierat këtij qyteti. Kjo nuk është një betejë kundër dikujt, por për Tiranën europiane, me punët e vogla dhe të mëdha të qytetit”
Kurse kundërshtari i saj, i pavaruri Florian Binaj është infektuar shpejt nga Berisha. Përveçse nuk duket gjëkundi, u shfaq shumë i shqetësuar për ndalimin e monopatinave.

