PS feston 34-vjetorin e ditëlindjes, Rama: Procesi i anëtarësimit nuk është vetëm i qeverisë, përfshin edhe pushtetin vendor

schedule19:41 - 19 Qershor, 2025

schedule 19:41 - 19 Qershor, 2025

Socialistët janë mbledhur këtë të enjten në selinë rozë për të festuar 34-vjetorin e Partisë Socialiste. Oborri i selisë ishte i mbushur plot e përplot me figura të shquara që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin dhe suksesin e kësaj partie.

Nga selia rozë mbajti fjalën he kryeministri Rama, i cili u ndal tek anëtarësimi në BE, për këtë të fundit Rama tha se përmbushja e detyrave nuk i takon vetëm qeverisë, por që kërkon një kapital të madh njerëzor.

Për këtë të fundit Rama u shpreh besimplotë se në terren do të gjendet forca e duhur që i duhet PS, njerëz të përkushtuar dhe të përgatitur.

“Procesi i anëtarësimit nuk është një proces thjesht i qeverisë, apo deputetëve në parlament, por është një proces i shtrirë në të gjithë territorin. Ku përfshihen patjetër të gjitha njësitë e pushtetit vendor, ku shumë nga detyrat që ka ky proces duhet që të adresohen dhe kjo kërkon një kapital shumë të fuqishëm njerëzor. Unë jam shumë i bindur se do i japim një forcë të madhe PS në territor duke u mbështetur tek njerëzit më të talentuar më të përgatitur dhe më të përkushtuar. Dua të falënderoj të gjithë ata që janë të pranishme këtu. Dua të falënderoj të gjitha ata që janë këtu përpara nesh, dhe që janë gjithmonë të pranishëm në këto sebepe”, tha kryeministri Rama.

Edhe në këtë ditë feste Rama nuk harroi që të falënderonte gratë, të cilat i cilësoi si fuqinë më të madhe të shoqërisë.

Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991, ndërsa kryetari i saj i parë u zgjodh Fatos Nano që e drejtoi deri në vitin 2005, për t’ia lënë më pas stafetën Edi Ramës i cili është në krye të kësaj force politike tashmë prej 2 dekadash. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!