PS dëboi Dritan Lelin, Veliaj në ABC: Nuk kam asnjë dijeni, e mora vesh nga mediat

schedule14:22 - 11 Mars, 2021

schedule 14:22 - 11 Mars, 2021

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në një intervistë me Juli Xhokaxhi në ABC ka deklaruar se nuk ka informacione apo detaje në lidhje me largimin e kryebashkiakut të Vlorës Dritan Leli nga PS.

Leli u përjashtua nga ditën e djeshme Partia Socialiste pasi refuzoi të hiqte dorë nga detyra e kryebashkiakut për të kandiduar për deputet. Megjithatë, Veliaj thotë se ai di vetëm çfarë është raportuar në media.

“Nuk kam asnjë dijeni për rastin e Vlorës. Edhe unë e kam lexuar në lajme. Në momentin që do kem një moment të lirë mes takimeve dhe fushatës, do interesohem dhe do t’ju informoj. Çfarë keni dëgjuar ju, kam dëgjuar unë. Çfarë ndodh jashtë Tiranës, e marr vesh nga lajmet.”

Ndërsa, i pyetur për listën e Tiranës, kryebashkiaku tha se në 95 për qind janë zgjedhje të tij. Po ashtu, Veliaj shpjegoi se pse emra si Mimi Kodheli, Fatmir Xhafaj apo Pandeli Majku u vendosën jashtë atyre që quhen “zona të sigurta.”

Figurat e vjetra të PS, sipas Veliajt janë renditur poshtë në listë pasi janë marka dhe nëse punojnë fort mund ta sigurojnë vendin e tyre.

“Ne kemi një filozofi, në mënyrën sesi e kemi angazhuar ekipin në Tiranë…Në 95 për qind, të miat. Jam konsultuar me kryeministrin. Por, di të të them që kam refuzuar, edhe propozime të tij. Kam qenë unë më shumë që kam thënë jo, sesa Rama. Me Majkon e Xhafajm kam marrëdhënie të shkëlqyera.” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!