Prurje kolosale të ujit nga lumi Shkumbin. Përsëritet situata e dy viteve më parë. Shkak janë reshjet e dendura të shiut si dhe shkrirja e dëborës nëpër male për shkak të ngrohjes së motit. Kështu, lumi ka sjellë dyfishin e ujit që sjell zakonisht.
Për pasojë janë konstatuar përmbytje që fillojnë nga Librazhdi, Elbasani, Peqini, Rrogozhina, Myzeqeja e deri në grykëderdhjen e tij në Adriatik.
Në Librazhd, vërshimi i lumit ka shembur plotësisht një urë në njësinë administrative Hotolisht, urën e Rrethit të Bardh. Për pasojë kanë mbetur të izoluar qindra banorë.
Situata paraqitet problematike edhe në Polis Valë, Labinot Fushë, Fushën e Cërrikut në Jagodinë, ujësjellësi Cërrik, Papër, Pajovë etj, ku përmbytjet janë masive. Në këto vende, Shkumbini ka përmbytur toka dhe lokale.
Ndërkaq disa fshatra janë pa energji elektrike.
Edhe qarkullimi në segmentin Librazhd-Përrenjas ka patur probleme nga rënia e gurëve nga shpatet e maleve, veçanërisht në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”./abcnews.al