Provokacija/ Bollano tregon arsyet e pjesëmarrjes në funeralin e Kaçifas

schedule21:16 - 13 Nëntor, 2018

schedule 21:16 - 13 Nëntor, 2018

I ftuari i dytë në emisionin “Provokacija” nga gazetari Mustafa Nano ishte ish-kreu i OMONIA-s Vasil Bollano. Një diskutim për ngjarjen më të nxehtë të kohëve të fundit në aktualitetin shqiptaro-grek. Mendimet e tij mbi rastin e Kaçifas dhe problemet e grupeve minoritare.

“Atë ditë isha në vendin ku ndodhi ngjarja për shkak të ftesës për organizimin e ditës së 28 tetorit. Fillimisht kur e dëgjuam që një person i armatosur ka goditur në një drejtim të paditur, krijoi një indinjatë. Sigurisht ishte çështje që më pas e morën organet e përkushtuara për këto lloj ngjarjesh që ishte policia e shtetit. Rreth orës 1 u larguam se mbaroi aktiviteti dhe në darkë u njoftuam për ndodhinë që u konkludua me vrasje.”

Bollano u shpreh dhe për besimin e tij tek policia shqiptare lidhur me këtë çështje.

“Unë mendoj që në lidhje me besueshmërinë, sigurisht që besueshmëri ka, por nëse do të më pyesnit se në ç’nivel është besueshmëria, vlen për të dëshiruar. Për dy arsye, e para sepse bëhet maksimumi nga individë zyrtarë të politizojnë çështje, sepse sigurisht politizimi ndodh në dy aspekte ka edhe nga individë anonomë po nga grupe shoqërore të ndryshme, por politizimi është më i keq kur bëhet nga individë të veshur me pushtet. Këtu fillon problemi që duket sikur jepen disa mesazhe të gabuara instuticioneve të pavarura që në rastin konkret është policia. Përpara se të jepej versioni zyrtar se si ndodhi ngjarja u ngrit një akuzë.”

Pyetjes së Nanos, a është kryeministri Edi Rama antigrek, ai iu përgjigj:

“Nuk mund ta gjykoj në këtë sens. Unë nuk mund të shprehem antigrek apo antishqiptar, por që marrëdhëniet sa herë që bëhet një tentativë për një hap përpara, krijohet një ngecje, ngecje teknike. Erdhën në këtë situatë tani me disa pengesa. Kjo ngecje nuk mund të them që është e qëllimshme, por nuk është pozitive dhe kjo vlen për tu analizuar thellë nga qeveria.”

A ka arsye që një minoritar grek të ankohet ndaj instuticioneve shqiptare në tërësi?

“Unë mendoj që ka të drejtë të ankohet për mënyrën se si funksionon. Shteti për këtë punë është, që të japë përgjigjen dhe të orientojë gjërat në bazë të legjislacionit dhe kushtetutës.”

Bollano foli edhe për arsyen se përse ishte i pranishëm në varrimin e Kaçifas.

“Në varrim shkuam për një arsye. Për arsyen humane se humbi jetën një njeri dhe aq më tepër në mënyrën se si evoluan gjërat u krijuan shumë pikëpyetje të ndryshme. Domethënë ditën e parë u ekzekutua një person i armatosur, deri këtu gjërat janë në rregull. Mirëpo kur fillojë aludimet, kur fillojnë deklaratat, kur fillon një media elektronike dhe e quan “budalla”, “psikopat”, “kriminel”, çfarë nga këto kanë ndodhur. Atëherë ngrihen shumë nga këto përshtypje dhe aludime për individin në fjalë që unë nuk e njoh, menjëherë krijohet përshtypja se këtu diçka ka ndodhur dhe vonohet dhe ekspertiza. Rrugën zyrtare akoma s’e kemi dëgjuar.”

Ai foli dhe për titullimin “hero” të Kaçifas.

“Deri tani që flasim fjala “hero” është në kuptimin laik, sepse nuk e kemi versionin zyrtar. Por në aspektin laik ai është vlerësuar si hero. Indidvidët apo forma laike e të shprehurit, duke patur një material të tillë, krijon dhe ajo kondrapeshat e saj. Në rastin konkret ai u bë hero, u mitizua, do ta shikojmë në perspektivë se ç’do të bëhet. Vajtja në varrim është një moment tjetër, nuk lidhet as me politikën, as me ngjarjen, as me sjelljen. Vajtja në varrim është çështje emocioni, çështje humane, pra është ana sociale jo politike apo juridike”.

Së fundmi Bollano rrëfeu dhe mendimin e tij në lidhje me thirrjet antishqiptare gjatë funeralit të Kaçifas.

“Unë personalisht distancohem nga çdo lloj thirrje. Deklarata kam bërë rreth opinioneve për pyetje të ndryshme. Por si pjesë e ish OMONIA-s, unë do marr deklaratat zyrtare nga njerëz që sot përfaqësojnë organizatën OMONIA apo minoritetit, ndoqa deklaratën e deputetit Dule që kryesisht përfaqëson miniritetit, e cila ishte shumë e kujdesshme.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!