Studentët ndodhen në ditën e 16 të protestës së tyre. Katër prej tyre ishin të ftuar në emisionin “Byro Politike”, ku u shprehën se kanë pasur kërcënime dhe presione nga persona të ndryshëm. Andi Varrosi, student i Fakultetit Ekonomik, tregoi rastin e tij. Ai u shpreh në studio se ka pasur presione gjatë mbledhjes që studentët kanë bërë me dekanin Dhori Kule.
“Është shumë e vërtetë që ka presion dhe kërcënime. Ditën e martë, unë dhe shumë studentë të tjerë, unë dhe disa studentë do të dilnim tek Ora News te emisioni i Zhejit në një studio paralele me analistët. Unë vija direkt pas një mbledhje që nuk e çova deri në fund pasi duhet të isha në emision pas një mbledhje me Dekanin e Fakultetit Ekonomisë, Dhori Kule dhe nga 14 studentë të ndryshëm që duhet të shkonin në emision kisha shkuar vetëm unë. Nuk besoj që ndonjë këtu të më thotë që 13 studentë nuk vijnë për arsye rastësore. Rastësisht mund të mos vijnë 1 ose 2. Një rast tjetër se si kërcënohemi dhe si na ushtrohet presion. Ditën që është bërë mbledhje me Kule, përpara se të fillonte mbledhja është tentuar nga persona që ndoshta nuk ishin pjesë të fakultetit, persona që janë pjesë e forumeve të ndryshme kanë tentuar të futen në mbledhje për të bërë pyetje pro zotit Kule. Në momentin që janë tentuar të ndalohen, personi që i drejtonte, i cili është me goxha peshë në fytyrat e studentëve sepse është kryetari i studentëve të Tiranës ka qëlluar një student”, u shpreh studenti.
Ai tregoi me emër dhe personin, që sipas tij, sëbashku me dekanin Kule kanë dashur të sabotojnë mbledhjen me studentët. Gjithashtu sipas të riut në studio, ai ka dhunuar edhe një student tjetër.
“Djali në fjalë quhet Kristian Kina. Besoj se disa mund ta kenë dëgjuar se është kryetar i studentëve në Tiranë. Ka qëlluar një nga studentët tanë. Ka qëlluar dhe ka bërë presione. Kam dhe mesazhe kompromentuese se si zoti Kina dhe Dekani kanë dashur të sabotojnë mbledhjen përpara se të zhvillohej.
Në momentin që unë jam pikasur që kam materiale dhe këta persona e dinë që unë i kam këto materiale ditën e shtunën në stacionin e autobusit kam pasur tre veta që më ruanin. Kjo nuk është normale. Kjo thirrje shkon për zotërinë që drejton këtë vend. Kryetari i qeverisë përveç atyre pikave u ka dalë dhe një pikë e nëntë. Të ndalojë menjëherë sulmet, kërcënimet dhe presionet ndaj studentëve dhe të ruhet integriteti fizik dhe moral i studentëve”, u shpreh më tej studenti.
Këtë të mërkurë studentët protestuan para Korpusit të Universitetit të Tiranës. Ata ishin më të paktë në numër dhe këtë e argumentojnë me nisjen e sezonit të pushimeve. Megjithatë auditorët vazhdojnë të mbeten bosh, në pritje që kërkesat e tyre të plotësohen. Studentët bëjnë të ditur se protesta e tyre do vijojë deri të premten dhe ndërprerja do jetë vetëm për ditët e pushimeve e ata do i rikthehen protestave në Janar.