Protestat në Ballkan, BE: Nuk jemi forcë ushtarake që të ndërhyjmë

schedule21:41 - 19 Mars, 2019

schedule 21:41 - 19 Mars, 2019

Brukseli ka deklaruar se shtetet e Ballkanit të përfshira nga protestat politike duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre dhe jo të presin ndërhyrjen e BE-së. Për Federika Mogerinin dhe komisionerin Johanes Hahn, BE-ja nuk është një trupë ushtarake që të ndërhyjë në shtetet e rajonit.

Pyetjes nëse janë të shqetësuar për situatën e krijuar nga protestat në disa vende të Ballkanit, si Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi dhe nga kritikat drejtuar Bashkimit Europian, se në emër të ruajtjes së stabilitetit në rajon po tolerohet devijimi i shtetit ligjor dhe demokracisë, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn i kanë dhënë përgjigjje të ndryshme:

Federica Mogherini, shefe e Politikës së Jashtme të BE:  “Ne akuzohemi se jemi shumë striktë përsa i takon sundimit të ligjit. Unë pyes nëse është dikush tjetër në të gjithë botën përveç Bashkimit Europian që promovon sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut sa ne. Jo, unë nuk jam e shqetësuar sa i takon kësaj. Ai që po garanton që të ketë një vëmendje të veçantë ndaj anti-korrupsionit, sundimit të ligjit dhe një hapësirë të përshtatshme për shoqërinë civile në të gjithë botën dhe sidomos në rajonin tonë, është Bashkimi Europian. Për këtë arsye nuk kemi pse të akuzohemi aspak në këtë drejtim”.

Johannes Hahn, komisioner për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë: “Unë do të bëj çdo gjë për të mbrojtur të drejtën për lirinë e shprehjes, të drejtën për të protestuar dhe për t’u shprehur. Ata kanë shqetësime dhe këto janë pikëpamjet e tyre, por unë dënoj çdo lloj përdorimi të dhunës. Kjo nuk është ajo që ne mund të pranojmë apo të shohim. Por duhet të them se nuk jemi nga ata që mund të futemi në një vend si një forcë ushtarake dhe të largojmë një qeveri e ta zëvendësojmë atë me një tjetër. Kjo nuk ka të bëjë me botëkuptimin tonë të funksionimit të ligjit. Botëkuptimi ynë për sundimin e ligjit, demokracinë dhe transparencën e sistemit gjyqësor është që: Po, aty mund dhe duhet të ketë ndryshime politike, por ama me kusht që të jenë të bazuara në procese demokratike; në zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Kjo është ajo që ne përpiqemi të lehtësojmë dhe të mbështesim. Por të besohet se ne jemi ata që veprojmë si arbitra, se kush është i mirë e kush është i keq, se njëri duhet të largohet dhe tjetri duhet të vijë, ky nuk është qëndrimi ynë. Kush beson se ne veprojmë në këtë mënyrë e ka gabim. Ne do të bëjmë gjithçka për të forcuar demokracinë në rajon”.

Këto deklarata Mogherini dhe Hahn i kanë bërë në konferencën përmbyllëse të takimit të 15-të të Stabilizim-Asociimit BE-Maqedoni e Veriut. /abcnews.al