48 qytetarë të cilët u arrestuan gjatë protestave kundër rritjes së çmimeve janë lënë të lirë.
Gjykata e Durrësit ka liruar nga qelitë dy të arrestuarit gjatë protestës së ditës së enjte. Gjyqtari Markelian Koça, vendosi për dy të rinjtë, Endri Smeli, 21 vjeç dhe Alehandro Basho, 33 vjeç, masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Edhe Gjykata e Lezhës la të lirë 5 personat e arrestuar të premten, në lidhje me protestën e zhvilluar në Mirditë ku u bllokua për 60 minuta Rruga e Kombit në afërsi hyrje të Rrëshenit. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, gjyqtari Artan Hajredinaj pranoi kërkesën e prokurorit Ylli Pjeternikaj dhe vendosi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për shtetasit me iniciale M.Ç., P.K., P.J., E.Gj. dhe Y.Z., banues në Mirditë. 5 protestues të tjerë që u arrestuan gjatë protestës në Bulqizë janë lënë të lirë. Edhe në Tiranë janë liruar 36 protestues.
Në të gjithë vendin qytetarët janë ngritur në këmbë për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të karburanteve.
Në Klos protesta ishte e qete. për një orë ata marshuan në qytet për tu nisur më pas drejt kryeqytetit me makina private.
Në protestë dolën edhe qytetarët e Pogradecit. Ata u mblodhën pata bashkisë së qytetit për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës. Ata kërkuan ulje të çmimit të naftës, rritje të rrogave dhe paketë ndihme për shtresat në nevoje.
/abcnews.al