Banorët e Unazës së Re pritet që të zhvillojnë një protestë tjetër pasditen e së dielës. Gazetari i Abc News, Andi Qosja, raportoi se situata është akoma e qetë atje. Njerëzit nuk kanë filluar të mblidhen, megjithatë një orë përpara protestës është parashikuar një mbledhje për të organizuar protestën.
Një nga organizatorët e tubimit, Lutfi Kastrati tha për Abc News se banorët janë të zhgënjyer për shkak të vendimit politik që u dha nga gjykata ditën e sotme për tre të arrestuarit e Unazës së Re. Ai tha se në protestën e orës 18:30 pret pjesëmarrje jo vetëm nga banorët e zonës, por edhe qytetarë të Tiranës.
“Ne në radhë të parë jemi shumë të zhgënjyer me vendimin politik të dhënë sot nga gjykata për banorët e Unazës së Re. Ne prinim ta vlerësonin të paligjshëm ndalimin, ndërkohë me urdhër politik u lanë në burg pa afat. Do të merret një vendim, nuk mund t’ju jap detaje sepse nuk është diskutuar akoma. Ne e dinim që do mbaheshin në burg sepse edhe gjyqtar i kësaj çështje ishte babai i një kryetari të FRESSH-it të PS, do të thotë një njeri tërësisht politik. Lirohet Saimir Tahiri, nuk ka bërë asnjë ditë burg, ndërsa mbahen në burg banorët. Duhet të mbahet e gjithë unaza. Të njëjtën vepër penale ka kryer e gjithë unaza. Prandaj është dënim politik. Presim pjesëmarrje të banorëve, jo vetëm të Unazës, qytetarëve të Tiranës, por edhe më gjerë. Fatmirësisht do jetë edhe kreu i PD. Ka qenë një mbështetje e rëndësishme për kauzën tonë që po kthehet në kauzë kombëtare. U bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës ta mbështesin protestën”, tha Kastrati.
Gjashtë persona janë arrestuar pas protestave të organizuar nga banorët e Unazës së Re. Për tre prej tyre, është dhënë masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa tre të tjerë pritet të dalin të hënën para gjykatës.
Partia Demokratike e ka konsideruar këtë vendim si politik, dhe ka paralajmëruar se do të marrë pjesë në tubimin që do të zhvillohet sot në orën 18:30. Prezent në protestë do të jetë edhe kreu i selisë blu, Lulzim Basha. Mësohet se në mbështetje të banorëve do të jenë edhe sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, kryesia e PD dhe ish-deputetë.
Për të pasur pjesëmarrje masive në protestën e pasdites së sotme, çdo kryetari grupseksioni i është kërkuar të marrë masat për të qenë prezent, si dhe të lajmërojë strukturën për pjesëmarrje në mbështetje të protestuesve të Unazës së Re.
Gjithashtu, të gjithë drejtuesit e departamenteve, si dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar janë njoftuar të marrin pjesë në protestë./abcnews.al

