Në një protestë, të cilësuar madhështore, opozita në Maqedoni ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Gjithashtu VMRO-DPMNE nënvizon se shqiptarët nuk kanë nevojë për ligjin e gjuhëve, por atyre u duhet zhvillim ekonomik.
Dhjetëra mijëra qytetarë të Maqedonisë protestuan përpara godinës së qeverisë në një manifestim të organizuar nga partia kryesore opozitare, VMRO-DPMNE. Kërkesa e tyre kryesore ishte e qartë: zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat mund të mbahen së bashku me zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Por kjo kërkesë është rrëzuar nga Lidhja Social Demokrate në pushtet, që nënvizon se VMRO-DPMNE prej 12 vitesh lëshon të njëjtat mesazhe. Pavarësisht kundërshtimit të qeverisë, forca opozitare që drejtohet nga Hristian Mickoski vijon të kërkojë zgjedhje të parakohëshme duke thënë se për të garantuar kushte të barabarta duhet një qeveri teknike 100 ditë para datës së zgjedhjeve si dhe zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor me propozimin e opozitës.
Gjatë tubimit, lideri i opozitës mbajti edhe një fjalim nacionalist duke thënë se Maqedonia i përket qytetarëve të Maqedonisë. Ndërsa pati edhe një koment për kërkesat e shqiptarëve. Mickoski u shpreh se qytetarët shqiptarë nuk kanë nevojë për ligj antikushtetues për gjuhët, por vendit, atyre dhe qytetarëve të tjerë u duhet zhvillim ekonomik.
Në protestë, lideri opozitar bëri të qartë se VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Greqia për zgjidhjen e çështjes së emrit.
“Nuk pranojmë të ndryshojmë Kushtetutën. Ne nuk frikësohemi nga tradhtarët. Nuk pranojmë të luhet me dinjitetin tonë. Ne si VMRO do të mbrojmë atdheun. Kjo qeveri duhet të bjerë”, nënvizoi ai.
Më tej akuzoi ekzekutivin e kryeministrit Zoran Zaev, duke thënë se nuk ka mbajtur premtimet e dhëna./abcnews.al