Një ditë pas protestës së organizuar nga opozita, policia ka proceduar në total 31 personona, ndërsa emrat e tyre nuk i bën të ditur. Ndërkohë, që uniformat blu dhe Prokuroria e Tiranës nuk kanë nisur hetim për asnjë nga organizatorët dhe deputetët e PD-së, që ishin të pranishëm në tubim.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës kanë nisur procedimin penal për 31 shtetas, të cilët ishin pjesëmarrës në protestën e organizuar nga opozita një ditë më parë.
Ata akuzohen për tre vepra penale, si prishje e rendit dhe qetësinë publike, shkatërrim prone dhe kundërshtim të punonjësit të policisë. Zyrtarisht, policia njofton se ky procedim filloi pasi më datë 26 maj, rreth orës 12:00, para godinës së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme, në protestën e organizuar nga Partia Demokratike, kanë ushtruar dhunë fizike, duke goditur dhe shtyrë punonjësit e policisë, të cilët ishin të planifikuar me shërbim.
Gjithashtu, po kqyren edhe kamerat e sigurisë që kanë regjistruar protestën në vijimësinë e saj për të evidentuar edhe persona të tjerë që dyshohen se kanë goditur uniformat blu. Deri tani nuk ka procedim, për deputetë apo për organizatorët e protestës së të shtunës.
Policia njoftoi pasditen e djeshme, se ndaj saj, janë hedhur gurë e sende të forta rrethanore. Për pasojë 11 efektivë janë lënduar dhe një protestues. Po dje, policia njoftoi ngritjen e një grupi të posaçëm, për hetimin e rasteve të dhunës së ushtruar gjatë protestës. Mes të lënduarve mbeti edhe kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi./abcnews.al