Zyrtari i lartë amerikan Matthew Palmer jep paralajmërime të forta për kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI Monika Kryemadhi. Palmer shprehet se nëse në protestën e sotme do të ketë dhunë, përgjegjëse do të jetë opozita. Zv/ndihmës Sekretari i Shtetit deklaron gjithashtu se me 30 Qershor, amerikanët do të monitorojnë procesin zgjedhor.
Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit në SHBA Matthew Palmer gjatë një interviste ka deklaruar se nëse në protestën e kësaj të shtune do të ketë dhunë, përgjegjëse është opozita.
“Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha dhe Znj. Kryemadhi nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE”.
Palmer jep edhe një mesazh për ata që do të tentojnë të pengojnë qytetarët të votojnë ne zgjedhjet e 30 Qershorit.
“Gjatë vizitës time në Prill, e nxita opozitën të merrte pjesë në zgjedhje. I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA. Ditën e zgjedhjeve, ekipet tona të ambasadës do të vendosen në qendra votimi për monitorim zgjedhor. Kemi në plan të shqyrtojmë raportimet për monitorimin zgjedhor të ekipeve tona si dhe ato të ODIHR”.
Palmer thotë me tej se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me partnerët shqiptarë dhe të BE për të siguruar integrimin me sukses të Shqipërisë, ndërsa shprehur mbështetje edhe për procesin e reformave gjyqësore legjitime dhe kushtetuese./ABC News Albania 24/7