Betejë idioteske e konsideron kryetari i grupit parlamentar socialist pjesëmarrjen e opozitës në protestën e banorëve të unazës së re në Tiranë. Projektin për ndërtimin e unazës së madhe e ka hartuar dhe firmosur Lulzim Basha- deklaroi në seancën parlamentare Taulant Balla.
Në sytë e Taulant Ballës Lulzim Basha është një don kishot i kohëve moderne. Luftën me mullinjtë e erës ka kohë që e bën thotë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
“Për të mos lënë jashtë vëmendjes betejën e radhës me “mullinjtë e erës”, të asaj çfarë ka mbetur nga opozita në Shqipëri është e turpshme që pas historive pafund, pas dështimit te Parku i Lojërave, pas dështimeve te “Sheshi Skënderbej”, pas historisë së pakuptimtë te Teatrit Kombëtar, tani kemi dhe një betejë idioteske tjetër, sikurse është pengimi i vijimit të ndërtimit të Unazës së Madhe”.
Nuk ndosh shpesh që paraardhësit të Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës tia njohin meritat për projektet e hartuara, por Unazën e Madhe nuk ia mohuan Lulzim Bashës.
“Aq i pakuptimtë është, sa kryetari në detyrë i opozitës, Lulzim Basha, ka qenë pjesë e përcaktimit të gjurmës se ku kalon Unaza me firmë dhe me vulë, qoftë si ministër i Transporteve deri në vitin 2007, por qoftë edhe si Kryetar i Bashkisë së Tiranës nga viti 2011 deri më 2015-ën. Gjurma se ku kalon Unaza është miratuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 2012. Pra, banorët që sot ankohen te Lulzim Basha për këtë çështje, duhet në radhë të parë të informohen nga vetë Lulzim Basha për gjurmën e përcaktuar”.
Informimin e bëri Lulzim Basha mbrëmjen e së mërkurës ku bëri publike dy dokumenta.
“VKM PROCES LEGALIZIMI e vitit 2011 të qeverisë Berisha sipas të cilës pronarët e banesave në proces legalizimi të kompensohen me vlerë të plotë tregu, kur banesat e tyre preken nga projektet me interes publik.
VKM SHPRONËSIMET e vitit 2012 që provon se për projektin e Unazës së Madhe janë kompensuar me vlerë të plotë tregu edhe banesa që janë klasifikuar nga ALUIZNI në kategorinë “Proces legalizimi””.
Megjithatë sipas Taulant Ballës këto nuk justifikojnë mosprishjen e banesave për të cilët po protestojnë banorët prej disa ditësh. E vetmja garanci e tij është se këtij projekti qeveria dhe bashkia do ti shkojnë deri në fund.
“Unaza do të vijojë! Është jetësore për Tiranën që ky standard i ri zhvillimor, që po vendos qeveria në bashkëpunim me Bashkinë të shkojë deri në fund”.
Si kryetar i grupit parlametar socialist i kërkoi opozitës të mos mungojë më në seancë plenare dhe t’i bashkohet votave të mazhorancës për të votuar buxhetin e vitit 2019.
Këtë të enjte socialistët do të njiheshin me dekretin e presidentit për emërimin e Vitore Tushës në krye të Kontrollit të Lartë të shtetit por kreu i deputetëve socialitë nuk tha asnjë fjalë edhe pse në deklaratën e fundit paraljmëroi se nuk do të ketë as vonesa e as nxitim. /abcnews.al