Protesta e 16 Shkurtit, drejtori i Rendit: Të ruhet gjakftohtësia

schedule18:35 - 13 Shkurt, 2019

schedule 18:35 - 13 Shkurt, 2019

Opozita prej kohësh ka paralajmëruar një protestë masive më 16 Shkurt. Të mërkurën, Ministria e Brendshme doli në një deklaratë ku theksohej se ka informacione për persona të cilët mund të kryejnë akte dhune.

I ftuar në emisionin “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj, theksoi se policia punon për të marrë informacione dhe ka indicie që persona të tillë mund të ketë në protestë.

Ai nënvizoi se policia do të organizohet dhe do të sigurojë një tubim normal. Dervishaj bëri thirrje që të gjithë qytetarët të ruajnë gjakftohtësinë më 16 Shkurt.

“Ky nuk është mitingu i parë dhe as i fundit që do kryhet në Shqipëri. Policia e Shtetit është duke u organizuar, duke menduar masat që do marrë për mbarëvajtjen e tubimit. Qëllimi është që policia të sigurojë një tubim normal, që të mos cënohen tubuesit.  Ka informacione që do vijnë protestues nga rrethet. Policia nuk ka për qëllim të pengojë protestuesit. Ne për këtë punë jemi. Në këtë kontekt ne jemi duke u përgatitur që të marrim masat me numrin e pjesëmarrësve.

Njoftimi zyrtar është  konsumuar dje dhe ka një bazë reale. Policia punon për të marrë informacione me strukturat brenda vendit, por edhe jashtë saj. Bashkëpunon me misionet policore që ne na monitorojnë që janë në Shqipëri dhe shkëmbejmë informacione. Ka indicie që individë të veçantë mund të tentojnë të kryejnë akte dhune. Thirrja ime si zyrtar i policisë është që secila palë të ruajë gjakftohtësinë. Policia do përpiqet të jetë garante e sigurisë”, tha ai.

Policia është duke e hartuar planin e masave për protestën e së shtunës. Dervishaj theksoi se janë caktuar personat përgjegjës që do kontaktojnë me organizatorët e protestës. Nëse do të ketë përshkallëzim të saj, ai theksoi se policia do veprojë ashtu si ia lejon ligji.

“Jemi në hartimin e planit. Shumë shpejt do ta kemi gati. Po analizojmë çdo informacion që kemi. Mendojmë që policia do luajë një rol ligjor garante e rendit publik për të mbrojtur një tubim dhe protestë paqësore, por nga ana tjetër për të mos u krijuar privime qytetarëve të të që do kalojnë në rrugë.

Ligji për tubimet i ka përcaktuar disa hapa si do veprojë policia, por edhe organizatorët. Ne kemi caktuar oficerin përgjegjës që do flasë me organizatorët e protestës. Do jemi në komunikim të vazhdueshëm. Kur tubimi do jetë në zhvillim normal secila palë do bëjë punën e vet. Nëse do ketë përshkallëzime do ketë zhvillime që ligji për tubimet i përcakton”, u shpreh Dervishaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!