DURRËS– Operatorët turistikë në Durrës thonë se protestat që po zhvillohen prej disa ditësh në vend po dëmtojnë turizmin. Sipas tyre, situata e krijuar ka sjellë pasiguri tek partnerët ndërkombëtarë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezervimet për të pushuar në Shqipëri.
“Dy operatorë të rëndësishëm kemi reduktim gati 40% të rezervimit në këtë sezon. Shumica e operatorëve janë me kredi dhe nëse do të kemi një sezon jo të suksesshëm nuk do të mund ta paguajnë atë, qoftë dhe punonjësit e tyre”
Operatorët turistik thonë se ndryshe nga vitet e shkuara aktualisht nuk ka prenotime të minutës së fundit. Ngurrimin e të huajve shprehen se po e ndjejnë dhe për periudhën në vijim.
“Nga të gjithë operatorët turistik kemi shqetësime, meqenëse Durrësi është një qytet turistik i madh dhe ka kapacitet të madh turistësh ata kanë lidhje me Tiranën, që domethënë turistët kanë filluar të bëjnë frenim të rezervimeve për shtator tetor. Ne jemi pro investimeve nuk jemi kundër investimeve”
“Protestat e fundit kanë tërhequr vëmendjen e partnerëve tanë të huaj. Normalisht në këtë periudhë ne kemi pas mbyll kontratat me garanci për sezonin e ardhshëm sepse ata po presin që të sqarohet kjo situatë.
Kanë një mosbesim. Kanë ndikuar në tkurrjen e rezervimeve të minutës së fundit, me rreth 20%, nuk ka anulim, por stepje, sidomos nga gjermanët, mesa duket janë më të ndjeshëm ndaj këtyre situatave”, tha ai.
Operatorët turistikë në Durrës thonë se turizmi është një sektor shumë i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në vend dhe kërkuan marrjen e masave për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik./abcnews.al



