Katër persona janë arrestuar nga komisariati nr.1 dhe 7 të tjerë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë në lidhje me protestën e opozitës përpara Kryeministrisë, për hedhje molotovi dhe sendesh të forta.
Ndërkohë protestuesi i cili u përfshi nga flakët në tentativë për të shkelmuar një molotov drejt policisë, ka pësuar djegie të lehta në fytyrë dhe gjymtyrë por pa probleme serioze, pasi ka marrë mbrëmë ndihmë nga djegie-plastika është larguar për në banesë.
Edhe efektivët e policisë që mbetën të lënduar pasi kanë marrë ndihmë mjekësore nuk kanë shfaqur problematika të tjera.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Ervin Minarolli me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

