Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Iirjan Celibashi nga Korça ka treguar për gazetarët se çfarë do të ndodhë me komisionerët që kanë tjetërsuar votën e 25 prillit. Po ashtu, i pyetur nga gazetarët, kryekomisioneri ka komentuar edhe propozimet e PD për ngritjen e një komisioni Parlamentar për Reformë Zgjedhore si dhe për Reformën Territoriale.
Sa i përket çështjes së komisionerëve pas procesit të rinumërimit, Celibashi tha se KQZ është ende në vlerësim të situatës. Në përfundim të procesit do të vendosen edhe sanksione administrative apo penale ku ka pasur shkelje që kanë deformuar dukshëm rezultatin e numërimit.
-PD ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Parlamentar për Reformë Zgjedhore, a ka nevojë Shqipëria për reformë të re pas çdo procesi zgjedhjesh?
“Këtë herë ka nevojë për të kryer një reformë zgjedhore sepse edhe ODIHR sugjeron ndryshime në kodin zgjedhor , por është e rëndësishme që kjo gjë të fillojë tani dhe është gjë e mirë që opozita e ka ndërmarrë këtë inisiativë pozitive dhe që shumica qeverisëse e ka mbështetur dhe kjo është pozitive. Shpresojmë që procesi të finalizohet sa më shpejt dhe të mos jemi në pozitën e herëve të tjera kur reformat zgjedhore kanë përfunduar 4,5,6 apo qoftë edhe 1 vit para zgjedhjeve.”
Kurse, për Reformën Territoriale, Celibashi deklaroi se ky si diskutim i përket partive politike dhe se KQZ nuk ka zë në këtë proces.
“Reforma Territoriale si diskutim iu përket partive politike KQZ nuk ka dhe nuk mund të ketë zë në këtë proces ka mendime të ndryshme në lidhje me organizimin e hartës administrative dhe si ajo duhet të jetë por le t’ia lëmë partive dhe qeverisë diskutimin për këtë çështje, sikurse thashë meqenëse kjo lidhet edhe me R. Zgjedhore sa më shpejt të mbyllet ky proces është më mirë, pasi ka ndikim, jo të drejtpërdrejtë por ka ndikim në Reformën Zgjedhore.” sb/abcnews.al/