Propozimi i Metës për KLSH, Balla paralajmëron rrëzimin e Bahri Shaqirit

schedule13:19 - 23 Janar, 2019

schedule 13:19 - 23 Janar, 2019

Mazhoranca parlamentare paralajmëron rrëzimin e kandidaturës së Bahri Shaqirit të propozuar nga Presidenti Meta për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla radhit arsyet arsyet që mund të çojnë në refuzimin e këtij emri nga ana e shumicës parlamentare.

Propozimi i dytë i Presidentit për kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit i ka marrë dy vota kundër të socialistëve: kryetari i komisionit të ligjeve Ulsi Manja arsyetimin e të cilit e mbështeti edhe Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali. I treti që shprehet është kryetari i Grupit Parlamentar Socialist.

“Unë jam kreu i Grupit Parlamentar të PS-së dhe praktikisht jam i fundit që duhet të flas për këtë çështje dhe dua ta them që ne jemi gjithmonë rigorozë sipas parashikimeve që na japin tre librat e rëndësishëm në këtë aspekt: Kushtetuta, Ligji për Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Rregullorja e Kuvendit”.

Sapo Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisioni i Ekonomisë, të kenë kryer seancën dëgjimore dhe verifikimin e përmbushjes së kritereve që përcakton ligji, Taulant Balla thotë se do të komunikojnë vendimin e socialistëve. Megjithatë duket se vota e tij do të bashkohet me atë të kolegëve që janë shprehur kundër propozimit të Bari Shaqirit në krye të Kontrollit të lartë të shtetit.

“Ne duam që në institucione kaq të rëndësishme të auditimit financiar të jenë persona që kanë eksperiencë të gjatë, që kanë njohuri dhe shumë përkushtim në kryerjen e kësaj detyre”.

Për ta miratuar apo rrëzuar propozimin e dytë të presidentit Ilir Meta, vendosin vetë deputetët e mazhorancës me shumicë të thjeshtë votash, ndërsa për draftin e reformës zgjedhore që i kërkojnë ndërkombëtarët, i duhen edhe votat e opozitës.

“Apeli im përmes këtij komunikimi me ju sot është që Partia Demokratike duhet një orë e më parë të vijë në Kuvendin e Shqipërisë në seancën e 30 janarit. Në mënyrë sinjifikative ne kemi zgjatur mandatin e komisionit të Reformës Zgjedhore vetëm me 30 ditë në mënyrë që të mos humbim më kohë”.

Që kjo kohë të mos shkojë dëm, sipas socialist Balla Partia Demokratike duhet të depozitojë në Kuvend dy anëtarët që i takojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë që në 30 qershor qyetarët të zgjedhin administatorët më të mirë për qeverisjen vendore.

“Ku shqiptarët do të dinë të bëjnë mirë dallimin mes atyre që janë zgjedhur për të bërë punë e për të vijuar rrugën europiane të Shqipërisë dhe atyre që në këtë orë janë zgjedhur të flenë gjumë”.

Sa për propzimin e fundit të opozitës për largimin e Kryeministrit dhe ngritjen e një qeverie teknike për zgjedhjet, Taulant Balla përgjigjet shkurt.

 “S’kam koment për këtë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!