Grupi i ekspertëve të opozitës që po punojnë për hartimin e një drafti për reformën zgjedhore kërkojnë që shteti të financojë 100% partitë politike dhe fushatat e tyre zgjedhore. Për mbi dy orë përfaqësuesit e opozitës kanë diskutuar mbi mënyrën e financimit të partive, duke dhënë edhe alternativat e tyre mbi uljen e kostove të fushatave dhe shmangjen e financimeve të dyshimta.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të kërkojnë financim nga buxheti i shtetit për partitë politike dhe fushatat zgjedhore. Grupi i ekspertëve të opozitës që po punojnë për reformën zgjedhore kanë diskutuar për mbi 2 orë në selinë blu mbi çështjen e financimit të partive politike dhe përdorimin e elektronikës në zgjedhje. Për kreun e grupit të punës që po merret me formulimin e vullnetit politik të opozitës, Oerd Bylykbashi fushatat zgjedhore nuk duhen trajtuar si gjë e shenjtë dhe financimet e dyshimta duhen dënuar.
Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura nga grupi i punës që ka diskutuar mbi këto ndryshime sqarojnë për ABC Neës se qëllimi i propozimeve të PD në lidhje me financat është garantimi i financimit të ligjshëm, të mjaftueshëm dhe transparent.
Për këtë arsye opozita kërkon:
-Financim të partive politike dhe zgjedhjeve 100% nga buxheti i shtetit
-Kriminalizim i financimeve private
– Raportimin i shpenzimeve dhe burimeve të financimit edhe nga kandidatët veç forcave politike.
-Ndalim të financimit të partive apo kandidatëve nga subjekte që kanë përfituar nga fonde publike nëpërmjet tenderash dhe koncensionesh
-Kufizim drastik i numrit të aktiviteteve që transmetohen live që përfshin kosto për transmetim mediatik
-Forcimin e rregullave për ndalimin e plotë të çdo financimi të huaj për subjektet politike/ kandidatët/ fondacionet politike.
Kur vjen fjala për miratimin e draftit final të reformës zgjedhore, Bylykbashi i kujtoi maxhorancës se vulën nuk mund ta vendos një komision ilegjitim dhe komik si ai i reformës zgjedhore në Kuvend.
Për më shumë se 3 javë, PD dhe aleatët e saj në opozitë janë duke punuar në mënyrë paralele me Komisionin e Reformës Zgjedhore në Kuvend për hartimin e një drafti të tyre për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. /abcnews.al