Prokuroria nis letër-porosi në Itali, çfarë kërkon për 500 mijë eurot e kapura në Durrës

schedule09:33 - 15 Qershor, 2020

schedule 09:33 - 15 Qershor, 2020

Prokuroria e Durrësit  i ka nisur një letër-porosi autoriteteve italiane për 500 mijë eurot e gjetura të fshehura në një kamion në Portin e Durrësit dy ditë më parë, teksa shoferi i kamionit ka mohuar të ketë lidhje me to.

Në këtë letër-porosi kërkohet informacion mbi lëvizjen e kamionit në vendin fqinj, kontaktet që mund të ketë pasur shoferi me persona të tjerë apo pamje filmike nëse është regjistruar.

Kamioni në fjalë i cili ka ardhur në Durrës pas një udhëtimi me tragetin e nisur nga Bari, ka qëndruar 4 ditë në territorin italian dhe për këtë do të pyetën edhe personat që janë përfshirë apo kanë dijeni për ngjarjen.

Ashtu siç është raportuar më parë, mjeti e kryente shpesh rrugën përmes Durrësit dhe Barit me traget, dhe transportonte materiale lëndë e parë për fasoneri që prodhojnë këpucë, që mund të ketë qenë edhe një indicie për kontrollin e tij nga autoritete portuale.

Siç raporton gazetari Leonidha Musaj për abcnews.al shuma e eurove në kamionin me targa TR 2046 U, ishin të vendosura në kokën e mjetit dhe në aksin e rimorkios. Ky detaj i gjetur në kamionin  e tij, ka bërë që prokuroria të dyshojë tek drejtuesi i mjetit si i përfshirë në këtë ngjarje.

Në policinë gjyqësore 46-vjeçari ka deklaruar se nuk ka dijeni për paratë dhe se mund ti ketë vendosur dikush tjetër.

Sasia prej 500 mijë eurosh, që u sekuestruan në datën 13 qershor, u gjet në Portin e Durrësit.

Prokuroria nuk ka ende asnjë informacion se nga vjen shuma e konsiderueshme e eurove./abcnews.al