Prokuroria e Krimeve të Rënda siguron dosjen për Nezar Seitin

schedule16:40 - 2 Nëntor, 2017

schedule 16:40 - 2 Nëntor, 2017

Prokuroria e Krimeve të Rënda siguron dosjen e përkthyer nga Ministria e Drejtësisë për të mbajtur në qeli Nezar Seitin, i dyshuar si pjesëtar i bandës së Habilajve. Seiti u arrestua disa ditë më parë në qytetin e Vlorës dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë 20 ditë burg.

Prokuroria e Krimeve të Rënda është e sigurt se materialet për ekstradimin në Itali të Nezar Seitit do të jenë në dorë të gjykatës para përfundimit të afatit 20 ditor të vendosur për të si masë e sigurisë së mbajtjes në burg.

Burime zyrtare nga organi i akuzës, pohojnë për Abc News se dosja e Seitit, është përkthyer e gjitha dhe se prokuroria brenda afatit ligjor do të dërgojë atë në gjykatë. Në këtë mënyrë, prokuroria thekson se dërgimi i 40-vjeçarit për ekstradim drejt Italisë, do mbetet në dorën e gjykatës. Trupi gjykues do vendose nëse Seiti do ti bashkohet pjesës tjetër të grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj apo do të gjykohet nga prokuroria shqiptare.
Paralelisht edhe në Gjykatën e Katanias po gjykohet pjesa tjetër e bandës me 11 pjesëtare, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Burimet bëjnë të ditur se në Ministrinë e Drejtësisë, janë dërguar fillimisht 416 faqe për t’u përkthyer, me kërkesë të prokurorisë shqiptare, pasi autoritetet italiane kishin arritur të përgjonin dhe të hetonin nga viti 2013, një grup kriminal me qendër në Vlorë të drejtuar nga vëllezirit Habilaj. Ky material është përkthyar tashmë dhe i është vënë në dispozicion në mënyrë zyrtare gjykatës dhe organit të akuzës.

Pjesa tjetër e dosjes prej 1800 faqesh të mbërritur në vendin tonë nga oficerët Italianë më kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sipas të njëjtave burime, vijon ende të jetë në proces përkthimi. Këto materiale janë bruto, pohojnë burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe duan kohën e tyre për t’u cikluar plotësisht. Pjesa më e madhe e dosjes voluminoze prej 1800 faqesh është përkthyer në shqip, por nuk është vënë ende dispozicion të prokurorisë.

https://youtu.be/RSX3MLsawiQ

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!