Janë katër personat e arrestuar në veri të Kosovës të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç, ndërkohë që një i pestë është në kërkim. Sipas të dhënave të policisë dy nga të arrestuarit janë agjentë policie që akuzohen se mund të kenë dëmtuar provat në vendngjarje.
Prokuroria dhe Policia në Kosovë kanë dhënë detaje për aksionin në veri të vendit në orët e para të së premtes.
Në një konferencë për shtyp u konfirmua se janë arrestuar tre persona të lidhur me vrasjen e politikanit serb Ivanoviç dhe një person që ka penguar kryerjen e detyrës zyrtare. Gjithashtu, Policia ka bërë të ditur se është shpallur në kërkim një person i pestë me emrin Milan Radojiçic.
Prokurori special Sylë Hoxha konfirmoi për mediat në Kosovë se hetimet kanë nisur që në 13 mars, dhe që në atë kohë ka nisur mbledhja e provave. Ai theksoi se të arrestuarit do të dalin para Gjykatës në Prishtinë, pasi dhe urdhëri për arrestimin e tyre ka dalë nga kjo gjykatë.
KFOR ka konfirmuar se aksioni i mëngjesit të së premtes është kryer nga policia e Kosovës në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviç, dhe se nuk ka pasur asnjë arsye që të ndërhyjnë. Gjithësesi KFOR pranoi se po monitoron situatën e cila deri tani është e qetë. /abcnews.al