“Projekti shkatërron historinë!” Restaurimi i kishës së Pllanës në Lezhë përplas besimtarët me klerikët

schedule20:10 - 18 Shtator, 2020

schedule 20:10 - 18 Shtator, 2020

Besimtarët e Pllanës së Lezhës hedhin dyshime të forta që projekti për restaurimin e kishës së Shën Venerandës nuk është transparent.

Për pasojë sipas tyre po dëmtohen varret dhe po grabiten sendet me vlerë. Ata dalin kështu kundër drejtuesve të klerit pasi këta të fundit janë nismëtarët e projektit.

“Problem është se po kryen veprime brenda dhe jashtë kishës në pjesën e varrezave dhe po prihen pemët e ullinjve. Të bëhet trasnpanecë për projektin. Ku po shkojnë drutë e pemëve 600 vjeçare. Po shkatërrohet vjetërsia e kishës ullinjve dhe akuafresket që kanë brenda,” shprehet një prej tyre.

“Këtu janë dhunuar dhe varreza, dy prej tyre qindra vjeçare. E pllakat e mermerit janë zhdukur.”

“S’mund të lëvizin eshtrat shekullore,” thotë një tjetër prej tyre.

Besimtarët thonë këtë çështje do ta çojnë në prokurori.

“Unë personalisht, do bëj denoncim në prokurori. Këto ta dinë, prokuroria ta dijë kë të ndjekë për këtë çështje.”

Ndërsa Famulltari i Kukelit, Dom Nik Ukgjini që është dhe iniciatori i kësaj ndërhyrje del kundër protestës së banorëve. Ai siguron se gjithçka po bëhet sipas projektit të miratuar nga Ministria e Kulturës.

“Fshatarët nuk e duan më shumë se ne kishën. Është e jona. Ne s’mund ta vjedhim kishën,” shprehet ai.

Aktualisht punimet janë pezulluar pasi banorët nuk i lejojnë punëtorët të vazhdojnë restaurimin, ndaj dhe Dom Nika do t’i denoncojë.

Kisha e “Shën Venerandës” në Pllanë të Lezhës gëzon statusin e monumentit të kulturës. /abcnews.al/