Projekti “Past 4 future”/ Ahmetaj për turizmin e aksesueshëm

schedule12:07 - 23 Maj, 2018

schedule 12:07 - 23 Maj, 2018

Shqipëria do të zbatojë një projekt të përbashkët me Italinë dhe Malin e Zi për të promovuar turizmin dhe për të bashkërenduar të dhënat mbi mënyrën e shërbimit për shtresat në nevojë që do të vijnë e vizitojnë këto vende. Ministri Arben Ahmetaj tha se qeveria shqiptare është duke krijuar një paketë të plotë për të mbështetur me politika taksash këtë sektor.

Shqipëria i është bashkuar projektit “P.A.S.T 4 Future” i cili zbatohet nga 6 partnerë dhe përfshin tre shtete: vendin tonë, Italinë dhe Malin e Zi me synimin për të koordinuar dhe promovuar ofertat turistike.  Për herë të parë edhe për shtresat vulnerabël siç janë personat me aftësi të kufizuar.

Arben Ahmetaj: “Ka në fokus zhvillimin e sektorit të turizmit, duke shtrirë ofertën turistike në Shqipëri për një segment tregu ende të paplotësuar, si personat me nevoja të veçanta, personat me aftësi të kufizuar, persona të moshës së tretë, por edhe turistë familjarë që kanë nevoja të veçanta. Do të mundësojë ndërlidhjen e aktorëve të ndryshëm për ofrimin e informacionit në kohë reale lidhur me kërkesat specifike të turistëve me nevoja të veçanta.”

Qeveria u shpreh ministri I Financave ka ndërmarrë disa nisma për të lehtësuar nga taksat sektorin e turizimit, duke nisur që nga ulja e TVSH-së në 6% të strukturat akomoduese, e deri te heqja e tatim-fitimit dhe taksës së infrastrukturës për hotelet e rezortet me 5 yje.

Arben Ahmetaj: “Unë sot kam nxjerrë një procedurë për të nisur procesin për ta çuar në Komitetin e Investimeve Strategjike në Këshillin e Ministrave, një projekt në jug të Shqipërisë, pikërisht një strukturë akomoduese të konsiderueshme flas nga aspekti I ofrimit të shërbimeve dhe numrit të dhomave.”

Ahmetaj tha se e njëjta logjikë për lehtësimin e investimeve të hoteleve me standard të lartë po përgatitet për t’u miratuar edhe për sektorin e agroturizmit./abcnews.al