“Projekti i jetës”, dy arkitektë në “luftë” me kohën: 1000 maska nga printeri 3D për mjekët

schedule14:39 - 9 Prill, 2020

schedule 14:39 - 9 Prill, 2020

 Në kohën kur vetëizolimi dhe distancimi social është e vetmja formë për të ruajtur veten, ata janë shqetësuar të ruajnë ata që janë në vijën e kuqe të luftës.

Dea dhe Albano janë dy arkitektë që prej afro 4 javësh po punojnë mbi projektin më të rëndësishëm të jetës së tyre, prodhimin e maskave speciale për mbrojtjen e mjekëve që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët e prekur me koronavirus.

“Si nismë këtë e nisi babai im në Kosovë, i cili u kontaktua nga disa kolegë të tij në Rumani dhe Universiteti i Valencias.

I gjithë procesi kryhet përmes printerit 3D. Është testuar nga spitali i Universitetit të Valencias, që ka ndjekur të gjitha procedurat e duhura, dhe se mund të përdorej nga doktorët.

Kontakti i parë për ta ishte Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, i cili kur u njoh me nismën nuk i kurseu emocionet dhe apeloi për ndihmë.

“Kontaktuan direkt rektorin  e Univeristetit të Mjekësisë, në Tiranë dhe falë tij bëri jehonë në të gjithë Shqipërinë dhe pati kërkesa të mëdha nga stafi mjekësor. Sado që mund të ketë pajisje mjekësore asnjëherë nuk është mjaftueshëm”, u shpreh Dea.

Printerin 3D Albano e bleu kohë më parë për të realizuar projektet e tij, por sot e vetmja arsye për të cilën ajo makineri funksionon është realizimi i maskave mbrojtëse për mjekët.

“Jam pajisur për shkak të profesionit dhe me thirrjen e Deas vura në dispozicion kohën time për ta implementuar si ide”, shprehet ai.

Objektivin e kanë të qartë se ku duan të arrijnë, ndërkohë që aktualisht projekti është përmbushur në masën më të madhe.

“Deri tani kemi dorëzuar rreth 300 copë në QSUT dhe 100 të tjera në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Këtë gjë po e ndjekim institucionalisht”, tregon Dea.

Janë të bindur se kanë prodhuar mjetet e duhura dhe të sigurta për personelin shëndetësor.

“Materiali është një trajtë plastike që vjen në trajtë fijesh. Në logjikën e vet është në trajtë shtresash. Kërkon gati një orë për tu realizuar. Gjithashtu mund të dezinfektohet. Ato që do të përdoren nga mjekët do të jenë të tejdukshme”, sqaron Albano.

Por nisma e arkitektëve pritet që në ditët e ardhshme të marrë të tjera përmasa.

“Kemi bërë dy porosi të mëdha, një porosi duhet të vijë, por ka ngadalësime sepse Evropa është bllokuar dhe ka vonesat e saj. Pas dy javësh presim të vijnë dy printera 3D. Kur të mbarojë kauza e COVID-19 do t’ja dorëzojmë Univeristetit të Mjekësisë Tiranë, si kontribut për të eksperimentuar mes teknologjisë dhe mjekësisë.”

 

Por a kanë vetë ata frikë nga një infektim i mundshëm me COVID-19

“Personalisht nuk kam frikë, por nuk mund të them se nuk duhet treguar kujdes”.

Falënderimin e kanë për bashkëpunëtorët që po sakrifikojnë familjarët.

“Dua të falënderoj personat që janë pjesë e saj, që po punojnë duke sakrifikuar familjet e tyre.  Po prodhojnë me aq kapacitet sa kanë dhe të gjithë sfidat që kemi në vazhdimësi apo vetë sfida e karantinës me të cilën po përballemi të gjithë.

Dhe luten për personat që këtë mision e kanë kthyer në biznes.

“Mos shisni maska, nuk është momenti për të bërë biznes, por është momenti për tu solidarizuar”, shprehet Dea.
Të bindur janë se Shqipëria betejën me COVID-19 do ta fitojë shumë shpejtë.

Por, deri kur lufta do të quhet e fituar, ata do të kujdesen për shëndetin e atyre që kanë mbi supe përgjegjësinë dhe profesionalizimin për të mbajtur në jetë shqiptarët e infektuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!