Projekti i BB: Të lehtësohet tregtia dhe transporti në Ballkanin Perëndimor

schedule13:37 - 19 Prill, 2019

schedule 13:37 - 19 Prill, 2019

Shqipëria përfiton 20 milion dollarë nga projekti i ri i Bankës Botërore. I miratuar sot nga bordi i drejtorëve të Bankës Botërore, ky projekt me vlerë 90 milion në fazën e pare, parashikon të zvogëlojë kohën dhe koston e tregtisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Pritja në kufi i kushton jo pak por 26 milionë orë në vit këtyre kamionëve. Këto përllogaritje janë bërë nga Banka Botërore.

Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore: “Vonesat në pikat e kalimit kufitar në Ballkanin Perëndimor janë pesë herë më të gjata se në shumë vende të Bashkimit Evropian dhe çdo vit kamionët shpenzojnë deri në 26 milion orë në pikat e kalimit kufitar në rajon, pra thuajse 3000 vjet”.

Për të shmangur këto kosto, Banka botërore ka hartuar Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor  e miratuar këtë të premte nga Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore.

Ky projekt do t’u sigurojë tre pjesëmarrësve rajonalë nga Ballkani Perëndimor gjithsej 140 milion $, ku në fazën e parë sigurohet financim për Serbinë (40 milion $), Maqedoninë e Veriut (30 milion $) dhe Shqipërinë (20 milion $). Parashikohet t’i ulë kostot vjetore të import-eksportit me më shumë se 10 për qind.

Megjithëse vendet e Ballkanit Perëndimor mund të eksportojnë pa tarifa në Bashkimin Evropian, vetëm 10-20 për qind e firmave të këtij rajoni janë eksportues.

Në Shqipëri 87 për qind e firmave shqiptare shesin vetëm në tregun vendas, 10 për qind eksportojnë në BE dhe vetëm 3 për qind shesin në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ky projekt synon ta rrisë tregtinë rajonale nëpërmjet zvogëlimit të masave jotarifore, kohës së nevojshme për zhdoganim dhe kostove të përgjithshme të tregtisë.

Projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor do të ndihmojë në lehtësimin e lëvizjes së mallrave në këtë rajon nëpërmjet zbatimit të një sistemi me një sportel unik kombëtar.

Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore: “Nëpërmjet përmirësimit të infrastruktures, futjes së teknologjive të reja dhe rritjes së bashkërendimit mes institucioneve, ky projekt do ta nxisë tregtinë dhe rritjen ekonomike në mbarë rajonin,”

Projekti parashikon të sjellë edhe përfitime mjedisore duke ulur edhe çlirimet e gazeve serrë me thuajse 30.000 ton. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!