Shumica e bashkive në vend nuk kanë aplikuar në projektin e “100 fshatrave”, duke rrezikuar edhe lëvrimin e fondeve. Kreu i qeverisë Edi Rama i mblodhi në kryeministri kryebashkiakët, ku i kërkoi që të mos humbasin më kohë.
Shumë pak kryebashkiakë e kanë dëgjuar thirrjen e përsëritur të qeverisë për të aplikuar me projekte në agroturizëm.
“Kemi vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, që do të jetë mbështetje e drejtpërdrejtë për ata që investojnë në agroturizëm, që nga 5 milionë deri në 100 milionë, flas me të vjetra, si bashkëfinancim. Këtu nuk bëhet fjalë për kredi. Këtu bëhet fjalë për grant, për para që jepen për projektin pa asnjë interes nga ana e qeverisë. Numri i projekteve që kemi marrë ka qenë 10 herë më i vogël se numri i bashkive që kemi”, tha Rama.
Kjo e ka detyruar kryeministrin Edi Rama t’i mbledhë përsëri dhe t’i kërkojë të mos i hedhin sytë vetëm nga investimet në rrugë.
“Është për të ardhur keq që i gjithë diskutimi i kryetarëve të bashkive, kur vjen puna tek fshati, është “rrugë-rrugë-rrugë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Pa nënvlerësuar investimet në infrastrukturën rrugore, kreu i qeverisë i drejton të gjitha bashkitë drejt hartimit të projekteve që i japin më shumë mundësi banorëve. Fondet nuk mungojnë, por rrezikojnë të humbasin nëse vazhdohet me këtë ritëm propozimesh nga bashkitë.
“11 milionë euro janë vetëm për të mbështetur familje apo individë në fshat, që duan të investohen në agroturizëm. Dhe janë jo kredi, por para në dorë për të cilat duhet një aplikim i besueshëm, duhet një projekt i besueshëm. Por ai që është rreziku ynë është që neve paratë të na ngelen pa u disbursuar për shkak se nuk kemi aplikime të besueshme dhe për shkak se nuk kemi projekte të besueshme”, tha kryeministri i vendit.
Pjesë e projektit “100 fshatrat” ndër të tjera janë edhe investimet në shërbimin shëndetësor, arsim, por edhe pastrimin e mbetjeve urbane, për të cilat kryeministri Edi Rama tha se ka ende shumë njolla të zeza që duhen adresuar e pastruar nga Harta e Shqipërisë./abcnews.al