“Progres raporti me vlerësimet më të mira”, Gjipali: Rezultate pozitive në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit

schedule18:33 - 8 Nëntor, 2023

schedule 18:33 - 8 Nëntor, 2023

Eksperti për integrimin, Gledis Gjipali ka folur në “Special Report” për progres raportin për Shqipërinë. Ai ka deklaruar se këtë radhë kemi një vlerësim të dukshëm pozitiv, veçanërisht te Reforma në drejtësi.

“Këtë radhë kemi një vlerësim të dukshëm pozitiv, sidomos te reforma në drejtësi, e cila është një nga aspektet kryesore të vlerësimit të Shqipërisë për nisjen e negociatave, sepse është pjesë e grupimit të parë të pushtetit të së drejtës. Gjë që e ndihmon shumë procesin për faktin se progresi në këtë kapitull ndikon në progresin në të gjithë kapitujt e tjerë. Nëse nuk do të mund të kemi ecuri pozitive këtu, asnjë kapitull tjetër nuk do të mund të hapet pavarësisht sa shpejt mund të ketë ecur njëra fushë apo tjetra, sepse me metodologjinë e re e kushtëzon progresin në lidhje me të gjithë ecurinë e negociatave të grupimit të parë”, u shpreh Gjipali.

Më tej, ai theksoi se Shqipëria ka pasur rezultate shumë të mira në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit. Sipas ekspertit, vendi ynë gjendet si rrallëherë e pozicionuar shumë mirë në rajon.

“Shqipëria dallon nga një lexim i shpejtë dhe i raporteve të vendeve të tjera. Për faktin e parë të Reformës në Drejtësi, që si të thuash tërheq kapitujt e tjerë dhe progres në disa fusha të rëndësishme si lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, që ndonëse ka nota më pak pozitive se ajo e reformës në drejtësi përsëri janë një status optimal për të ecur në hapjen e negociatave në grupimin e parë. Edhe kjo mendoj do ndikoj pozitivisht dhe në një vlerësim nga vendet anëtare. Të paktën deri më sot në deklaratat e ndryshme të shteteve që janë më kritike, nuk ka pasur komente negative për ecurinë e Shqipërisë, por ka pasur një mbështetje, e cila është vërejtur dhe në Samitin e fundit që u mbajt në Tiranë. Në këtë kuadër parë nga një rrafsh rajonal, Shqipëria gjendet si rrallëherë e pozicionuar shumë mirë në rajon”, tha Gjipali./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!