Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se këtë të enjte, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, u miratua projekt vendimi për programet e nxitjes së punësimit që lidhen me skemën e garancisë rinore.
Gjatë një deklarate për gazetarët në ambientet e jashtme të Kryeministrisë, Ibrahimaj u shpreh se ky program do t’i drejtohet aftësimit dhe punësimit të të gjithë të rinjve në Shqipëri në moshat 15-29 vjeç.
Ibrahimaj tha se çdo të riu në këtë grupmoshë, që ka të paktën 4 muaj pa një punë apo një program arsimimi, duke i ofruar programe të aftësimit nëpërmjet kruseve të formimit profesional apo një vendi pune.
Ndër të tjera, ministrja nënvizoi se i gjithë ky proces do të vijë i mbështetur nga fondet e buxhetit të shtetit në bashkëpunim me fondet e Bashkimit Evropian.
“Miratimi i projekt vendimit për programet e nxitjes së punësimit që lidhen me skemën e garancisë rinore. Ne kemi folur gjatë gjithë këtij viti dhe vitit të kaluar për programin e garancisë rinore, i cili do t’i drejtohet aftësimit dhe punësimit të të gjithë të rinjve në Shqipëri në moshat 15-29 vjeç. Konkretisht, programi do t’i referohet kësaj grupmoshe e cila ka një papunësi më të lartë se papunësia e përgjithshme e vendit dhe do t’i drejtohet duke i ofruar çdo të riu, i cili ka të paktën 4 muaj pa një punë apo një program arsimimi, duke i ofruar programe të aftësimit nëpërmjet kurseve të formimit profesional apo një vend pune. I gjithë ky proces do të vijë i mbështetur nga fondet e buxhetit të shtetit në bashkëpunim me fondet e BE dhe çdo i ri që do të përfundojë një program të formimit profesional, për një hark kohor deri në 6 muaj, do t’i ofrohet një vend pune dhe ky vend pune do të paguhet për 3 muajt e parë me 80% të pagës minimale me një pagë të reduktuar dhe p0ër 3 muajt e dytë, do të zgjasë 6 muaj, do të paguhet me 100% të pagës minmale.
Të gjitha bizneset që do të punësojnë një të ri të moshës 15-29 vjeç që janë pjesë e këtij programi, do të paguhet 20% e kohës e personit që do të merret me trajnimin e të rinjve dhe të rinjve do t’u paguhet edhe transporti, deri në masën 1600 lekë nëse banojnë më shumë se 2 km larg nga vendi i punës apo vendi i formimit profesional. Kjo është një politikë e cila shkon e gjitha në linjë me politikën që qeveria shqiptare po ndërmerr për të përmirësuar kushtet e tregut të punës, për të pasur një ofertë pune me cilësore, për të rritur pagat e të punësuarve, pra, për të rritur standardin e ofertës së punës në të gjithë vendin”, theksoi ajo./abcnews.al