Sandër Lleshaj do të mbetet në historinë e ministrave shqiptarë, si gjenerali që u bë ministër me këmbënguljen e Edi Ramës. Deri në momentin që Fatmir Xhafaj, do të jepte dorëheqjen në tetor të 2018, ai njihej nga jo shumë si këshilltari për Sigurinë pranë kryeministrit Edi Rama.
Largimi i Xahafjt do ta ekspozonte atë përballë opinionit, karriera politike në PS i mungonte. Por Rama e donte atë ministër, ndaj qëndroi fortë përball hezitimeve që bëri Presidenti për ta dekretuar atë, një muaj më vonë.
Kryeministri do e çonte dy herë tek Meta për firmë. Ky i fundit e pranoi atë pasi dorëzoi të gjitha gradat e karrierës së tij të mëparshme që e lidhin me Forcat e Armatosura. Lënia e gradës së gjeneralit do e përkushtonte atë totalisht tek figura e policit. “Policia do të ketë fytyrën tim”. Kjo është ndër deklarata e para që ka e ka bërë pasi u emërua.
Ndër risitë e para që u përpoq të bënte si ministër, që në varësi kishte efektivë policie, ishte heqja e atyre që i quajti “barkderra” nga radhët e uniformave blu. Këta duhet të shërbenin vetëm në vende të padukshme, sipas urdhrit të ministrit. Një urdhër i tillë nga shumë u quajt skandaloz. Gafat me policinë i ka bërë dhe në Parlament ku për të ofenduar një deputet e quajti polic. “Polic je, polic do mbetesh”
Për këtë më vonë kërkoi ndjesë. Një tjetër episod që e ndoqi Sandër Lleshajn si ministër ishte automjeti i tij luksoz për të cilin iu kërkua dorëheqja. Makina u pretendua që kushtonte 150 mijë euro. “Mjeti ka kushtuar vetëm 49 mijë euro edhe është blerë për llogari të Ministrisë së Brendshme. Nëse ka kushtuar më shumë se kaq, unë jap dorëheqjen” tha ai.
Çmimi i automjetit mbeti i paverifikuar, ndërsa qëndrimi në post u duk se u lëkund gjatë muajit shtator. “S’do jem përgjithmonë në këtë post. Nuk bëj plane” tha ai. Pak ditë më vonë rregulloi këtë deklaratë, duke u shprehur i bindur se do të mbyllte mandatin kur do të zhvillohen zgjedhjet. Kjo bindje iu ndërpre para kohe dhe ishte Rama dhe jo ai që e deklaroi./ db/Abcnews.al