Banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit do të përfitojnë banesa nga proçesi i rindërtimit në bazë të numrit të anëtarëve të familjes.
Vendimi i zbardhur në fletoren zyrtare parashikon që sipërfaqja që do të përfitojnë familjet do të jetë edhe sipas kategorive të banesave apartament apo shtëpi individuale. Qytetarët si fillim duhet të bëjnë një aplikim pranë bashkive ku do të duhet të deklarojnë të dhënat në lidhje me banesat dhe anëtarët që kanë. Përparësi në renditjen e përfituesve do të kenë familjet që kanë humbur familjarët nga fatkeqësia natyrore, familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna, familjet që kanë në përbërje personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit që kanë mbushur moshën e pensionit, familjet në skemën e ndihmës ekonomike dhe të rënët në krye të detyrës.
Në vendim përcaktohet se familjet që kanë humbur banesat e tyre në pallate përfitojnë nga program i rindërtimit në të njëjtin truall. Ndërsa në bazë të anëtarëve përcaktohet se një familje me dy anëtare do të marrë një apartament 1+1 me sipërfaqe 45 -60 m2.
Për familje me 2-4 anëtarë sipërfaqja parashikohet të jetë 75 deri 80 m2 dhe hyrja 2+ 1 ndërkohë për familjet me më shumë se 5 anëtarë sipërfaqja llogaritet 90- 100 m2 dhe hyrje 3+1. Po ashtu në vendim parashikohet që në rastet kur zona do të rindërtohet me shtëpi individuale atëherë edhe sipërfaqja e banesës ndryshon. Sipas tabelës B parashikohet që një familje me 2 anëtarë të përfitojë një sipërfaqe prej 60- 70 m2.
Familjet me 2 -4 anëtarë 70-80 m2 , ndërsa për familjet me mbi 5 anëtarë hapësira e shtëpisë llogaritet mbi 90 m2. Po ashtu në fletoren zyrtare është miratuar një tjetër vendim për ata qytetarë që janë të akomoduar në hotele. Në vendim thuhet se Ministria e Turizmit do të negociojë me hotelet për ofrimin e shërbimit me çmime tregu.
Të gjithë qytetarëve në këto struktura akomoduese, u ofrohet fjetje, ushqim tri vakte, shërbime higjiene, sigurie dhe ndihmë e shpejtë mjekësore thuhet në vendim.
Ndërkohë Shoqatat e turizmit kanë kërkuar që të gjendet zgjidhje për të dëmtuarit nga tërmeti duke i spostuar në hotele me 2 apo 3 yje pasi po afron sezoni dhe duhet të përgatiten për pritjen e turistëve. Aktualisht të prekurit janë të strehuar në hotele me 4 dhe 5 yje./abcnews.al


