Problemet me stadiumin, merkato dhe kualifikimi në Europë: Gjici flet troç

schedule17:38 - 13 Gusht, 2020

schedule 17:38 - 13 Gusht, 2020

Stadiumi i Kukësit ka disa vonesa për shkak të ndryshimit të projektit, por kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, beson se punimet do të përfundojnë shpejt. Gjici ka besim, gjithashtu, se skuadra mund të arrijë kualifikimin në Ligën e Europës

Ambicia është e madhe që këtë sezon të luhet pikërisht këtu. Kukësi shpreson që stadiumi I qytetit të përfundojë sa më shpejt modernizimin, e skuadra të mos bredhë në Kamzë apo Elbasan, veçse vihet re që ka disa vonesa në ritmin e punimeve.

Kryetari i Bashkisë, njëkohësisht njeriu më i rëndësishëm i klubit të futbollit, Safet Gjici, thotë se ka disa ndryshime në projekt, ndërsa ka një problem. Ai pohon se përveç Federatës, edhe qeveria do të japë disa fonde shtesë.

Pas përfundimit të punimeve, Gjici sqaron se nga Federata do të ndërtohet fusha, vendoset sistemi i ndriçimit dhe stolat. Vëmendje e madhe edhe tek skuadra që po përgatitet për Ligën e Europës, nën drejtimin e trajnerit të ri, Skënder Gega. Presidenti i Kukësit tregon se presin edhe një qendërmbrojtës në skuadër, ndërkohë që flet edhe për shanset e kualifikimit në turin e dytë të Europa League.

 

Punimet vazhdojnë…

Nuk kam informacion që janë ndërprerë punimet, punimet po vazhdojnë, janë bërë kolonat në krahun perëndimor. Kemi kërkuar që të behet hoteli edhe për sportistët. Edhe aty është një rregullim projekti, por është një punë që mbaron shpejt. Ne kemi hallet për fondet.

Ka dhënë pjesën e vet qeveria, ndërsa FSHF nuk ka lëvruar fondin e vet, kjo sepse Federata ka disa procedura me UEFA-n, për fondet që do të vijnë në shtator. Gjithsesi, kompania nuk është se po pret fondet, po punon. Nuk po bëhet një punë me ritme të ngadaltë.

Ka një ndërhyrje te projekti i  krahut perëndimor, sepse kemi kërkuar që aty të sistemohet ekipin, me hotel edhe kuzhinë. Aty duhet të bëhet edhe hoteli për ekipin. Jo më gjatë se tre ditësh i kam dërguar një shkresë kryeministrit për fondet, që kompania pret të marrë. Duhet të ndërhyjë qeveria edhe te Federata, dhe natyrisht në bashkëpunim me qeverinë. Pjesën e vet që i ka ngelur, pasi janë bërë ca shtesa, besoj se qeveria do e plotësojë.

Kemi bërë mënyrën e shpronësimeve, projektin që kemi zgjeruar parkingun përpara stadiumit. Banorët që kanë tokat me pronësi, do të marrin shpronësimin. Të gjithë këto procedura duan kohë. Një gjë dua të them: firma e ka të përcaktuar në kontratë se kur duhet të mbarojë stadiumin.

Besoj se brenda këtij muaji do të përfundojë pjesën që shikoni ju sikur është ndërprerë. Me kontratën shtesë dhe fondet që janë parashikuar të shtohen, besoj që edhe kompania do i shtojë forcat. Fushën, dritën, stolat i ka Federata t’i bëjë. Janë porositur dhe fillon puna sapo të mbarojë punë ndërtimore e kompanisë.

Gega? Dje vizitova ekipin, që po stërvitet dy herë në ditë. Kushtet janë shumë të mira në Tropojë. Besoj që po përgatitemi mirë. Janë shtuar disa lojtarë të rinj. Ekipi është gati. Nuk kemi marrë shumë lojtarë në Tropojë, ka marrë ata lojtarë që do të jenë gati për ndeshjet e parë me Slavian e Bullgarisë.

Slavia ka lojtarë vendas, përveç një lojtari me origjinë greke. Nuk është ekip i keq, është i mirë, ekip i fortë. Kemi favorin që luajmë në Shqipëri, në Tiranë. Trajneri Gega më informoi se po e studion mirë. Shanset janë për ta kaluar, realisht kemi shanse.

Unë kam shpresë dhe bindje që do e kalojmë këtë tur, por varet nga stafi teknik dhe ekip. Rezultati do të dalë ashtu si do e përgatisin këta. Nuk duhet nënvlerësuar Slavia, është një ekip i fortë, por besojmë se i kemi shanset për ta kaluar me këta lojtarë që kemi ne“, përfundoi Safet Gjici. /abcnews.al