Vllaznia prej kohësh ka bërë një vlerësim të aksioneve, por asnjë biznesmen nuk ka qenë gati që ta marrë klubin, që sikurse dihet ka edhe një borxh që shkon në 1 milion euro. Aktualisht Bashkia Shkodër është aksionarja e vetëm dhe tashmë ka një kandidat që interesohet të marrë klubin.
Bëhet fjalë për Alban Xhaferin, biznesmen që ka ekskluzivitetin e një kompanie japoneze të fotografisë dhe imazhit, prodhimit të pajisjeve mjekësore dhe produkteve të ndryshme teknologjike. Xhaferi në Shkodër nuk është një i panjohur.
Ai është momentali presidenti i ekipit të basketbollit të Vllaznisë dhe po mendon që të përfshihet edhe në ekipin e futbollit. Çdo gjë është në hapat e para dhe si fillim dëshira është pozitive. Sigurisht burokracitë janë të shumta, por Xhaferi dëshiron që të investojë në klubin e futbollit.
Tifozët shkodranë mezi presin që dikush të marrë klubin, që nën menaxhimin e Bashkisë Shkodër po lëngon ndër vite, madje sezonin e shkuar garoi në Kategorinë e Parë, diçka që në qytetin verior nuk e kishin imagjinuar edhe në ëndrrat më të këqija. /abcnews.al