Situata në shërbimin Infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë paraqitet serioze.
Më shumë se 130 ditë mjekë e infermierë po trajtojnë pacientë më koronavirus.
Pamjet i publikoi në “Facebook” ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për rrezikun që paraqet Covid 19.
Të infektuarit që kanë nevojë për trajtim në spital tregon shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik Eugena Tomini nuk janë vetëm të moshuar, por dhe të rinj të cilëve Sars Co V 2 iu ka shkaktuar shenja mesatare deri të rënda klinike.
“Kemi një tendencë në rritje të rasteve të hospitalizuara. Dhe një zgjerim të fashës së të prekurve. Nuk kemi më moshat e treta. Duket që virusi po paraqet një tipizim. Po prek edhe moshat e reja, por ndërkohë me simptomatikë të moderuar dhe të ashpërsuar” u shpreh ajo.
Përse është kjo situatë në Infektiv?
“Situata në spitalin Infektiv vjen si rrjedhojë e mosrespektimit dhe kontakteve të ngushta, jo e fajësimit të pacientëve. Por si ballkanas kemi një afrimitet me njëri-tjetrin. Jemi të ngrohtë në takime dhe kjo mënyrë sjelljeje duhet të ndryshojë”, tha Tomini.
Mbajtja e maskave në mjedise të mbyllura, respektimi i distancimit fizik dhe masave higjieno sanitare sipas mjekes janë të vetmet mënyra për të frenuar përhapjen e infeksionit.
Atyre që ende nuk e marrin seriozisht koronavirusin shefja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik i drejton këtë thirrje.
“Është shumë e ulët nga ana ime profesionale që të shprehem se ky virus nuk ekziston. Shumë njerëz që më dëgjojnë tani që e kanë përjetuar, që kanë pasur familjarë të afërm e kuptojnë shumë mirë se çdo të thotë të kapesh nga COVID-19. Ju lutem ndërgjegjësohuni, mbani maskat dhe ruani distancat. Sëmundja ka rrezikshmëri”, bën apel shefja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemike.
Shifra të larta të të infektuarve nga koronavirusi specialistët e Institutit të Shëndetit Publik parashikojnë dhe tre javët e ardhshme.
“Në bazë të projeksioneve statistikore që ISHP ka evidentuar në bazë të grumbullimeve të rasteve të konfirmuara, theksoj që edhe në tre javët në vijim do të kemi një tendencë të lartë të COVID-19. Për vetë faktin se një sëmundje me një inkubacion me një periudhë rreth 14 ditore, kontakte që kanë qenë të shumta dhe nuk janë respektuar masat e distancimit fizik dhe për rrjedhojë parashikojmë që do të kemi të njëjtin trend në tre javët në vijim”, tha më tej Tomini.
Koronavirusi aktualisht është përhapur në të gjithë vendin ndërsa të mundësia për të rënë në kontakt me të është rritur ndjeshëm.