Prioritetet e Edi Ramës dhe ndikimi rus, politika e javës në ABC News

schedule14:10 - 2 Nëntor, 2019

schedule 14:10 - 2 Nëntor, 2019

Rënia e të dytit kryebashkiak socialist për shkak të ligjit të dekriminalizimit, rikthen çështjen e përzgjedhjes së personave me të shkuar të errët për funksione publike. Me probleme edhe brenda vetë socialistëve e kërkesës tashmë të artikuluar qartë për zgjedhje të parakohshme, Edi Rama po përcakton prioritete të tjera. Detajet i sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Pas një rezistence disa javore, Edi Rama humb edhe një tjetër kryebashkiak socialist. Agim Kajmaku i Bashkisë Vorë ngeci në rrjetën e ligjit të dekriminalizimit. Por akti nuk dukej jashtë vullnetit të KM, e për pasojë javën politike që lamë pas, Edi Rama u shfaq i fokusuar në qasjen e re pozitive të krijuar ndaj Shqipërisë, njëlloj si MV, pas refuzimit të KE për hapjen e bisedimeve të antarësimit. Lëvizjet gjeopolitike në rajon, ku Rusia në mënyrë të papritur mori rol publik, po shqetësojnë BE dhe SHBA.

https://youtu.be/Iida0mqJFRQ

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Në tre muaj, Edi Rama lëshoi të zgjedhurin e vet të dytë për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Pas Valdrin Pjetrit që u dorëhoq, me një hetim që ende vijon, ra edhe kryetari i Bashkisë Vorë Agim Kajmaku, ndërsa i denoncuar njëlloj nga PD dhe në proces hetimi është një tjetër kryebashkiak socialist, ai i Vaut të Dejës, Mark Babani. Rezistencës tre mujore të Kajmakut, i dha fund hetimi i PP, që konkludoi se kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku kishte fshehur problemet me drejtësinë në Greqi, ku përdorte emrin Jorgo Toto, konkretisht akuzën e përdorimit dhe shpërndarjes së kartmonedhave të fallsifikuara, kryer në vitin 2003, për të cilën kishte marrë pafajësi në shtator të këtij viti, pasi  kishte apeluar vendimin e dënimit të tij, teksa mbante postin e kryetarit të Bashkisë. Ai akt nuk hynte në veprat që ndalonin marrjen e një funksioni publik, por mungesa e sinqeritetit i kushtoi Agim Kajmakut postin, pasi sipas ligjit, pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në formularin e dekriminalizimit, passjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik.

Pavarësisht mirëkuptimit të krahut të majtë në KQZ, për veprën për të cilën kishte marrë pafajësi, vendimmarrja finale ishte unanime: 5 vota pro ndërprerjes së mandatit si kryebashkiak për Agim Kajmakun. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!