Prindërit refuzojnë të vaksinojnë fëmijët

schedule17:01 - 14 Janar, 2019

schedule 17:01 - 14 Janar, 2019

Janë prindërit ata që po refuzojnë bërjen e vaksinave për fëmijët e tyre. Mjekët bëjnë thirrje për ndërgjegjësim, pasi sipas tyre, kjo është mundësia më e mirë për t’i mbrojtur të vegjlit nga viruset e ndryshme.

Në Lushnje, jo të gjitha nënat i përgjigjen pozitivisht bërjes së vaksinës. Sidomos në këtë periudhë, vogëlushët janë të prekurit e parë që sëmuren nga i ftohti. Ndaj mjekët thonë se vaksina do të ishte mbrojtësja më e mirë nga ekspozimi i sëmundjeve.

“Jo, jo. Më këshilluan që t’ia bëj, por nuk ia kam bërë deri tani”, tha një nënë.

Ndonëse në Lushnje nuk ka raste të shfaqjes së sëmundjes së fruthit, mjekët apelojnë për marrjen e informacionit rreth saj. Mungesa e vaksinimit sjell pasoja të rënda për jetën. Për këtë arsye po vaksinohen edhe të rriturit.

“Përderisa është në kalendar vaksinimi dhe rezultati i saj është shumë i efektshëm, fakti që janë rikthyer nënat po ribëjnë vaksinimin tregon për rëndësinë e kësaj vaksine”, tha Hatixhe Spahiu.

Janari i këtij viti, ka sjellë shtim të numrit të vizitave pediatrike në spitalin e Lushnjes. Mbi 80 vizita kryhen brenda një dite ndërsa mbi 10 fëmijë arrijnë të shtrohen. Ftohja dhe gripi kanë prekur fëmijët e të gjitha moshave. /abcnews.al