Në urgjencën e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë shkon për të trajtuar një sëmundje, por mund të marrësh një tjetër.
Ndërsa prindërit me fëmijë paraditen e të mërkurës hynin e dilnin për një vizitë tek mjeku përpara shërbimit punohej për të zhbllokuar pusetat e ujërave të zeza.
Era e rëndë të zinte hundët. Ndërkohë numri i pacientëve të vegjël me virozë dhe grip në 24 orët e fundit ka shkuar në 300.
Shumë prindër i drejtohen QSUT pasi kanë pak besim tek mjekët e qendrave shëndetësore. Ndërkohë specialistët pranë tyre tregojnë se tek ta mund të marrin të njëjtin shërbim.
“Kemi një shërbim të kualifikuar dhe shumë të mirë, ndoshta dhe me më shumë eksperiencë se sa një shërbim që bëhet në urgjencë. Kështu që doja ti drejtohesha të gjithë prindërve, që ti sjellin pa hezitim fëmijët pranë qendrave shëndetësore. Dhe në qendrat e tjera janë shtuar mjekët e specializuar në qendrat shëndetësore”.
Të frikësuar dhe qarkullimi i infeksioneve të shkaktuara nga meningokoku prindërit kanë kërkuar ndihmën e mjekut në shqetësimin më të parë të fëmijës, por bluzat e bardha thonë se nuk ka vend për panik ndërsa rekomandojnë.
“Kryesisht ajo që do ju rekomandoja është se prindërit ti drejtohen mjekut që në momentin e parë që konstatojnë se diçka nuk shkon te fëmija i tyre, sidomos kur janë të lodhur, të përgjumur, të këputur, nëse vërejnë disa elementë në lëkurë, dhimbje koke, të vjella, pra nëse paraqesin këtë klinikë duhet të paraqiten menjëherë te mjeku”.
Infeksionet nga meningogoku përhapen nga personi i sëmurë tek një person i shëndetshëm përmes prekjes, spërklave dhe ajrit. Higjena është këshilla kryesore e mjekëve.
“Për shkak të prirjes që kanë për të qëndruar në grup, për ti dhënë afeksion njëri-tjetrit, predispozita për përhapjen e meningjitit është më i lartë në moshën e adoleshencës. Gjithashtu të rriskuar janë edhe moshat e fëmijëve të vegjël. Rekomandohet që të bëhet vaksina tek ata persona që kanë imuno-defiçencë”.
Instituti i Shëndetit Publik pak ditë më parë konfirmoi se një person humbi jetën nga meningokoksemia ndërsa po analizohen shkaqet e dy vdekjeve të tjetra. Megjithëkëtë specialistët thonë se nuk kemi të bëjmë me epidemi dhe nuk ka vend për alarm./abcnews.al