“Prindërit donin violinën se kishte më shumë vende pune”, Merita Rexha tregon si u bë pianiste e njohur

schedule13:12 - 14 Prill, 2023

schedule 13:12 - 14 Prill, 2023

Merita Rexha është një nga pianistet më të mira të vendit tonë. Ajo aktualisht është zv.dekane dhe shefe e katedrës së pianos në Universitetin e Arteve.

E ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, Merita tregoi si nisi pasioni i saj për muzikën. Ajo zbuloi se prindërit donin që ta çonin në shkollë për violinë, por dëshira e saj ishte piano. Merita ka theksuar se ishte pikërisht një vepër e Tonin Harapit që e bëri që të donte tingujt e këtij instrumenti që në moshën 6-vjeçare.

Dëshira e prindërve të mi ishte që të filloja violinën, duke e parë kështu nga ana që ka më shumë violinista orkestra, kurse piano një është. Ka diçka të vërtetë këtu në fakt sepse ka pasur më shumë vende pune për violinist se sa për piano më përpara. Por ti kushtosh gjithë jetën një gjëje për mendimin tim duhet të ketë pasion brenda, të jetë një gjë që ta duash shumë, sepse nuk është kohë e shkurtër, jeta është edhe e shkurtër dhe e gjatë. Kështu që duhet patjetër ta duash atë që bën. Kjo ka qenë edhe këshilla ime për fëmijët e mi, nuk kam ndërhyrë, pasi mendoj që njeriu duhet ta zgjedhi vetë dhe i bindur që është ajo që do. Kështu që ajo që unë doja në atë kohë ishte piano. Ishte valsi i Tonin Harapit, të fut në një botë romantike dhe ëndrrimtare të Tonin Harapit dhe unë thash e bindur, është çudi, por edhe punë fati sepse unë isha 6 vjeç dhe thash: ‘Janë këto tingujt që unë dua’”, u shpreh ajo./abcnews.al