“Primaret po bëhen fakt i kryer,” grupi i Berishës dhe ai i Alibeajt mbledhje paralele në seli: Bashkimin e duam po s’na duket i sinqertë

schedule15:48 - 17 Tetor, 2022

schedule 15:48 - 17 Tetor, 2022

Në selinë blu u mbajtën pasditen e së hënës dy mbledhje paralele. Në njërin krah, kryedemokrati Sali Berisha ishte mbledhur me drejtuesit politikë të qarqeve dhe në krahun tjetër ishin mbledhur Enkelejd Alibeaj dhe ajo pjesë e PD-së që është në mbështetje të tij.

Përpara mbledhjes me Sali Berishën, disa prej drejtuesve Politikë të qarqeve janë shprehur optimistë për mediat se me “koherencë dhe përpjekje” mund të arrihet bashkimi.

Megjithatë, gazetari Juxhin Mustafaraj raporton se ky optimizëm nuk ka qenë aq prezent në grupimin Alibeaj.

Gazment Bardhi, i cili është i është mandatuar për të negociuar me Edi Palokën për gjetjen e një rruge të përbashkët për të dalë me nga një kandidat në zgjedhjet vendore, është shprehur se nga mediat ka mësuar së në mbledhjen e Kryesisë që do të mbahet të martën në selinë blu pritet të miratohet rregullorja finale për primaret.

Kjo sipas deputetit demokrat, tregon se negociatat nuk janë të sinqerta dhe se po bëhet fakt i kryer që kandidatët do të zgjidhen me anë të primareve.

Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton se në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupimit të Alibeajt, deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Flutura Açka kanë hedhur idenë që përtej këtyre negociatave, të shihet edhe mundësia që të forcohet grupi i Alibeajt dhe të dilet me kandidatë për zgjedhjet vendore.

Të njëjtin hezitim në sinqeritetin e palës tjetër duket se ndan edhe deputeti i Fierit Luan Baçi.

“S’kam besim në sinqeritetin e Bardhit apo në mënyrën sesi po artikulohen në mediat. Gjej rastin ta ftoj. Jam gati të takohem në bazë me Alibeajn dhe deputetë të qarkut dhe të takohemi,” tha ai para gazetarëve.

Të martën pritet të mbahet edhe një takim mes Gazment Bardhit dhe Edi Palokës ndërsa të dyja palët në parim shprehen se janë deri në fund për gjetjen e një rruge për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e kësaj pranvere. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!