Është emëruar Bardhyl Kaçorri në detyrën e drejtorit të Policisë së Burgjeve. Në ceremoninë e prezantimi ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka njoftuar se së shpejti nis vendosja e kamerave në qeli. Për shefin e qeverisë ka ardhur koha të mbikqyren rreptësisht këto ambiente pasi rezulton që të dënuarit orkestrojnë krimin e organizuar jashtë burgjeve.
Bardhyl Kaçorri do të jetë Drejtori i ri Policisë së Burgjeve. Të ditur e bëri ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
“Në krye të Policisë së Burgjeve që nga dita e sotme do të jetë zoti Bardhyl Kaçorri me një karrierë ytë gjatë dhe të spikatur në radhët e policisë së Shtetit ku ka mbajtur dhe pozicione të larta drejtuese”, deklaroi Gjonaj.
Vlerësimi ka qenë i njëjtë nga të gjthë ata që iu është kërkuar mendim mbi figurën e Bardhyl Kaçorrit. Një fakt që duhet nënvizuar sipas kryeministrit Edi Rama.
“Është shumë e vështirë të kërkosh opinione për njerëz dhe të marrësh opinione shumë të ngjashme, ose të njëjta. Në rastin e drejtorit na ka ndodhur pikërisht kjo dhe për herë të parë, unë kam dëgjuar oficerë police që nuk shajnë njëri-tjetrin, që është një gjë shumë e veçantë, përkundrazi, fjalët thonë më të mira”, tha Rama.
Prandaj dhe pritshëmëritë ndaj punës së drejtorit të ri të Policisë së Burgjeve janë të mëdha për kryeministrin Edi Rama, i cili i del përpara të papriturës që mund të sjell e nesërmja.
“Uroj shumë që të mos përfundojmë ndonjë ditë në ndonjë kronikë ku dalin këto fjalë, pastaj drejtori na del që nuk është i duhuri, por secili varet nga koka, shpatullat dhe këmbët e veta, në fund të ditës. Kështu që shumë suksese dhe sinqerisht që të gjithëve dhe me mend në kokë, se ka shumë rëndësi kjo, sidomos kur je nën uniformë”, u shpreh kryeministri.
Bardhyl Kaçorri ka zëvendësuar ish-drejtorin Enrik Sulejmani, i cili u shkarkua rreth dy javë më parë pasi nuk arriti të shoqëronte Ervis Martinajn nga spitali privat drejt spitalit të burgut, duke mos respektuar kështu detyrimin ligjor. Por problemi më i madh që po ndeshet sot në burgje është se orkestrimi i krimit të organizuar bëhet nga ata që vuajnë dënimin brenda burgjeve.
“Gjë që nuk ndodh në Shqipëri për herë të parë, por gjë që në Shqipëri nuk do të ndodhë për një kohë akoma të gjatë, sepse, një sërë masash të reja do të zbatohen pikërisht në funksion të kufizimit deri në asgjësim të veprimtarisë së profileve të larta të krimit të organizuar nga brenda burgjeve”, theksoi Edi Rama.
Masat e propozuara nga ministrja konsistojnë në kategorizimin e burgjeve në bazë të kritereve të rrezikshmërisë për të burgosurit. Do të montohet pajisja që ndalon linjën telefonike apo të internetit. Rregullorja do të jetë precize dhe do ketë kamera 24 orë, duke filluar që nga burgu 313 e më pas në të 24 institucionet e tjera.
“Për burgjet që do të jenë të kategorizuara si burgje të sigurisë së lartë, apo të rëndësisë së veçantë, kamerat nuk do të shihen vetëm nga Drejtoria e Burgjeve, por edhe nga operacioni “Forca e Ligjit. Pra, do të ketë dy salla monitorimi 24 orë të të gjitha lëvizjeve nga brenda-jashtë dhe nga jashtë-brenda, në mënyrë që askush të mos fshihet pas batanijes që i hedh kamerave, siç është bërë për fat të keq, traditë në të shkuarën”, bëri të ditur kryeministri.
Do të reformohet edhe sistemi i ushqimeve në burgje, si dhe ai i shërbimeve. Por edhe rritje rrogash janë parashikuar nga qeveria, kushte më të mira pune dhe ndryshim të uniformave për të gjithë punonjësit e policisë në burgje./abcnews.al