Prestigjozia “HuffPost” ka listuar kryeqytetin tonë Tiranën, si një nga destinacionet më të bukura për të kaluar pushimet në vitin 2024. Lajmin e bukur e ndau me të gjithë kryeministri Edi Rama, i cili publikoi artikullin në rrjetet sociale.
“Evropa do të vazhdojë të jetë një pikë e nxehtë në 2024, veçanërisht Italia dhe Irlanda,” tha Annette Richmond, krijuese e Fat Girls Traveling për “Huff Post”. “Megjithatë, më shumë udhëtarë shpresojnë të shpëtojnë nga turmat duke vizituar vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.”
Më tej, në artikull thuhet se në të vërtetë, Shqipëria nuk është në radarin e të gjithëve, prandaj kjo është arsyeja pse një vend si Tirana mund të jetë një destinacion ideal për ata që kërkojnë diçka ndryshe.
“Shumica e njerëzve ende nuk e kanë zbuluar atë, por fluturimet dhe infrastruktura turistike janë në vend, dhe ka më pak turma në krahasim me destinacionet në trend evropian si Italia, Greqia apo Portugalia,” tha Laura Lindsay , eksperte e tendencave të udhëtimit global në Skyscanner. “Plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare dhe kostoja më e lirë e jetesës e bëjnë atë një destinacion të shkëlqyeshëm për verën. Shqipëria ka qytete historike për t’u eksploruar dhe një skenë festivalesh në zhvillim, me ngjarje që zënë vendin e tyre në të gjithë kalendarin muzikor botëror.”/abcnews.al