Presioni te Kukësi, Musta: Është normale, por për këtë gjë paguhemi

schedule23:25 - 20 Janar, 2020

schedule 23:25 - 20 Janar, 2020

Futbollisti i Kukësit, Emiljano Musta, është i ftuar në emisionin Pressing, në ABC News. Musta e nisi fjalën e tij duke folur për presionin që ka Kukësi si kryesues i kampionatit, si dhe për disa tema tjera.

FORCA – “Natyrisht, presion ka, por Kukësi ka lojtarët e duhur për ta përballuar. E kemi treguar dhe në fushën e lojës që dimë ta përballojmë presionin dhe në shumë ndeshje kemi dalë me sukses”.

PROBLEMET – “Po dëgjoj që Kukësi ka probleme në prapavijë dhe është mposhtur nga gabime qesharake, por me gjithë respektin, nuk mendoj se është këtu. Kemi pësuar vetëm 13 gola, në Laç kemi humbur me një penallti. E vetmja ndeshja ku kemi merituar për të humbur, ishte në Ballsh. Për mendimin tim”.

MERKATO – “Me të vërtetë, Kukësi nuk ka bërë merkato. Por unë i njoh të gjithë lojtarët dhe shumë lojtarë mund të bëjnë shumë pozicione, Teqja, Ethemi, Musolli, Lulaj. Kemi dhe Limaj me Rrocën në mesfushë, që për mua janë më të mirët në Shqipëri. Tani, kur humbet 6-7 lojtarë, edhe Barcelona e ka të vështirë, jo më Kukësi”.

PRESIONI – “Profesori (Duro) do të na mbajë me këmbë në tokë, na ndihmon të ruajmë qetësinë. Por kështu është futbolli, pa presion nuk ka. Prandaj paguhen futbollistët”.

LUFTËTARI – “Është e vërtetë, shpeshherë ndeshjet e lehta në letër janë më të vështira. Ndaj ekipeve më të mëdha, lojtarët janë më të motivuar, ndërsa në këto ndeshje, janë sikur vendosemi në gjumë. Por duhet të jemi profesionistë dhe të marrim maksimumin të mërkurën”./abcnews.al